Barazim i bujshëm me Austrinë, Kosova para Shqipërisë edhe me 19-vjeçarët

Kombëtarja U-19 e Kosovës ka marrë një barazim të bujshëm në fazën e parë eliminatore në grupe ndaj Austrisë. Barazim i bujshëm për faktin se para ndeshjes Austria ishte favorite absolute për fitore, megjithatë gjithçka është mbyllur pa gola, 0-0.

Kosova U-19 është në grup me Austrinë, Slloveninë dhe Hungarinë. Dy të fundit do të luajnë sot në mbrëmje mes tyre dhe renditja mund të ndryshojë, por ky barazim ndaj një kundërshtari të fortë është një tregues i qartë se Kosova ka të ardhme të sigurt në futboll.

Për momentin, Kosova është para Shqipërisë jo vetëm në renditjen e Ligës së Kombeve, por edhe me moshat. Kosova bën pjesë në Grupin 3 në Ligën e Kombeve, ku mban vendin e parë me 4 pikë pas 2 ndeshjesh. Kurse kuqezinjtë janë në vend të dytë, pas Skocisë. Por edhe me 19-vjeçarët, pas ndeshjeve të para, Kosova është më mirë se Shqipëria. /Vipsport.al/F.R