Asion Daja tregon “recetën” e Memës: Te Tirana ka optimizëm, në Vlorë nis kthesa

Pesë eksperienca në Superiore, ndërsa prej 3 vitesh është titullarë në radhët e skuadrës së Tiranës. Një lojtar punëtorë në mesfushë, Asion Daja në konferencën e sotme për shtyp ka treguar edhe ndryshimin e situatës te Tirana me ardhjen në stol të trajnerit Ardian Mema.

“Situata ka ndryshuar, por do të duket në fushën e lojës nesër. Ne do të luajmë për një rezultat pozitiv, e dimë që Flamurtari ka një ekip solid. Ekipi në fakt kishte një ngërç psikologjik. Besoj se tashmë do të nis kthesa dhe Tirana do të kthehet te lojërat e bukura dhe rezultatet pozitive”, -tha fillimisht mesfushori 28-vjeçar i skuadrës së Tiranës, Daja.

Sa i përket ndryshimit në stol dhe skemat e trajnerit të ri Mema, mes batutave, Asion Daja ka shtuar: “Pushimi na ka shërbyer për mirë, aq më tepër që patëm edhe lëvizje në stol. Trajneri i ri, Mema e njeh më mirë skuadrën edhe për faktin se është shqiptar dhe ka eksperiencë në Superiore. Por, nuk duam të them që edhe Ze Maria ka punuar keq”.

Lidhur me rolin në fushë në sfidën e nesërme në Vlorë, ku mund të ketë ndryshime nga sfidat e tjera, Daja në fund ka theksuar: “Ndoshta mund të ketë ndryshime, por e bëjmë ditën e ndeshjes, ndoshta për të hutuar kundërshtarin. Megjithatë, ne kemi besim, sepse me situatën që është gara, një fitore të jep shumë.  Kënë mbetur edhe tri faza, në klub ka harmoni, ndaj duhet që të shohim përpara”, – ka thënë mesfushori Asion Daja në konferencën e sotme për shtyp.

E.S./Vipsport.al/