Alla pritet të jetë gati ndaj Tiranës, Sirgi kthehet me maskë te Flamurtari

Vlonjatëve u ka “djegur” shumë ai barazim në Kamzë, pasi ishin në avantazh deri pak minuta para fundit të ndeshjes. Nëse Flamurtari do të kishte fituar në atë transfertë, atmosfera do të ishte më e mirë, megjithatë skuadra po tregon përmirësim dhe me rikthimin e të dëmtuarve apo dhe zhbllokimin e situatës së brazilianit Kale, grupi do të funksionojë më mirë.

Për ndeshjen e radhës me Tiranën, që luhet fundjavën e ardhshme, trajneri Ilir Daja pritet të ketë gati mbrojtësit Alla dhe Sirgi. I pari është bashkuar me grupin dhe mendohet ta nisë titullar ndaj Tiranës, ndërsa lojtari rumun do të mbajë një maskë në fytyrë, që do të mbrojë te pjesa e dëmtuar. Nuk dihet nëse do të jetë për lojë që për ndeshjen e javës së 9-të apo jo.

Trajneri Daja e pranoi pas ndeshjes në Kamzë se skuadrës së tij i duhet kohë që të jetë stabël në lojë, por tashmë ai i ka disa gjëra më të qarta në lidhje me gjendjen e çdo lojtari. Duke e pasur grupin më të plotë që nga ndeshja me Tiranën, Flamurtari pritet të shprehet më mirë në fushë dhe të rikuperojë pikët e humbura në këto 8 javë. / Vipsport.al/F.R