Ajaks, PSV dhe Fejenord, luftë për të siguruar adoleshentin më të shtrenjtë shqiptar

Driblimet e Zhegrovës, golat e Kollollit dhe asistet e Zenelit ndoshta kanë kaluar në plan të dytë shumë futbollistë në radhët e Kosovës. Por në Gjermani janë të bindur se kjo verë do të jetë shumë e nxehtë për një prej talenteve të shumtë që ka në radhët e përfaqësueses së drejtuar nga Bernard Shaland, Donis Avdijaj, pasi në Holandë ka nisur një luftë e mirëfilltë për të siguruar shërbimet e tij.

Djaloshin 22-vjeçar e ndjek fama që nga momenti kur nënshkroi disa vite më parë si adoleshent kontratën e tij me Shalken, ku i vunë një klauzolë largimi prej 49 milionë eurosh, jashtëzakonisht shumë për një lojtar i cili ishte vetëm 18-vjeç. Ndoshta barra e asaj kontrate nuk e lejoi të shprehte potencialin e tij te klubi gjerman, ndërsa ka bërë mirë sa herë që është larguar nga ai, si në rastin e Shturm Grac, Roda, apo së fundmi Vilem II ku ka nisur këtë sezon.

Në këtë sezon, në 7 ndeshje ai ka shënuar 3 gola e dhënë një asist, duke treguar se është në formë të shkëlqyer dhe sipas “Bild”, skuadrat më me emër në Holandë janë gati të sigurojnë shërbimet e tij. Prestigjiozja gjermane siguron se PSV, Ajaks, Fejenord dhe AZ Alkmar po ndjekin me interes lojtarin, në pritje që të bëjnë hapin e duhur për të siguruar firmën e tij,

Avdijaj tashmë nuk ka klauzolën e çmendur të largimit dhe është në bisedime që tani për rinovimin me Vilem II. Por largimi i tij nga ky klub nuk është problem. Sipas “BIld”, shuma që një klub duhet të paguajë për të prishur marrëveshjen e tij me klubin holandez tani është vetëm 500 mijë euro. /vipsport.al/

more recommended stories