Abazaj: Po thuhen shumë të pavërteta, Kombëtarja është e shqiptarëve

Kristal Abazaj nuk po kalon një moment të mirë, duke qenë se dëmtimet dhe mungesa e minutave te Anderlehti, bënë që sulmuesi të humbiste mundësinë për të qenë pjesë e Kombëtares në takimet ndaj Izraelit e Skocisë në shtator, por edhe ndaj Jordanisë e Izraelit këtë javë.

Në një intervistë për “TeleSport”, ish-sulmuesi i Luftëtarit ka sqaruar disa çështje në lidhje me karrierën e tij, duke u shprehur se të gjitha problemet, lidhen me dëmtimin.

Mungesa e minutave te Anderlehti? Siç dihet unë jam bërë pjesë e Anderleht në merkaton e verës. Nuk kam arritur të debutojë akoma në fushën e lojës. Diçka që ka krijuar shumë polemika në media dhe gjithandej. Unë mund të them se kam qenë i pafat se në fillim të kampionatit u dëmtova.

Situata do të ishte komplet ndryshe nëse unë nuk do të isha dëmtuar, pasi këtë gjë e kisha demonstruar gjatë fazës përgatitore. Por futbolli kështu është, herë është me fat dhe herë është pa fat. Shpresoj të rikthehem sa më shpejtë

Aktualisht asgjë çfarë flitet lart e poshtë nuk është e vërtetë. Unë nuk bëj stërvitje me asnjë ekip tjetër, veç skuadrës së Anderlecht dhe siç dihet unë jam i dëmtuar dhe kam dy javë kohë rikuperimi dhe më pas unë besoj se shansi im do jepet. Unë do vazhdoj të punoj fortë dhe të arrij të paktën të debutoj sa më shpejtë”.

Kritikat nga media dhe presioni i tyre? “Unë nuk besoj se kanë ndikuar kritikat e medias, sepse unë jam shumë mirë psikologjikisht. Ky është futbolli dhe duhet t`i përballosh të gjitha normalisht. Unë nëse kam dhënë një deklaratë e kam bërë sepse kam qenë në nerva e sipër. Është dëshira e çdo futbollisti të luajë me ekipin kombëtar”.

Kombëtarja? “Besoj se kombëtarja këtu është dhe do të jetë e hapur për çdo lojtar. Kush jep maksimumin në ekipin e vet mund të vij të japi maksimumin dhe në kombëtare. Kombëtarja është e shqiptarëve.

Nuk e ndoqa shumë, pak e pashë ndeshjen sepse kisha një gëzim familjar. Kjo ishte ndeshje miqësore, ndërsa me Izraelin besoj se ekipi do të japi më të mirën dhe pse jo të fitojnë”, u shpreh Abazaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/