Zyrtare/ 22 vite karrierë, Kotorri bëhet trajner portierësh në Elbasan

Elbasani është shquar për portierë që kanë spikatur. Bujar Gogunja mbahet mend nga të gjithë edhe për rekordet e veta dhe përfaqësimet dinjitoze me verdheblutë dhe përfaqësuesen tonë. Por, padyshim “gardiani” që në dy dekadat e fundit mbetet shembull në Elbasan është Elvis Kotorri. E nisi si zëvendësuesi i Muharrem Dostit, “shtegëtoi” në Peqin e Tiranë dhe u rikthye në “shtëpi”. Një portier vërtetë që do të mbahet mend gjatë ka vendosur që t’i thotë “stop” futbollit të luajtur pasi e riktheu skuadrën e qytetit në të Parën. Madje, ka shënuar edhe 10 gola me penallti sezonin e shkuar në Kategorinë e Dytë.

Kotorri edhe pse 39-vjeçar, mund të luante edhe këtë sezon, por ka marrë detyrën e trajnerit të portierëve. Me një titull kampion te Elbasani por edhe te Dinamo, ai do të mbahet mend si një nga “gardianët” më të sukseshëm në vendin tonë, të paktën në dekadën e fundit.

“Visi” tashmë ka një detyrë edhe më të vështirë, të vazhdojë traditën dhe të nxjerrë portierë të talentuar për Elbasanin, e pse jo që të jenë të vlefshëm edhe për ekipin Kombëtar. Pas 22-viteve në fushën e blertë, ka vendosur që t’i heq dorezat, por jo këpucët e futbollit. /Vipsport.al/