Zbulohet skandali! Argjentina si Shqipëria e komunizmit, kontrabandë në kombëtaren e futbollit

Një skandal i ri ka mbërthyer përfaqësuesen e Argjentinës këto ditë, pas grumbullimit të fundit të ekipit për ndeshjet miqësore. Pas përfundimit të turit në SHBA, ku ekipi kombëtar luajti kundër Kolumbisë dhe Guatemalës, në aeroportin e Buenos Aires kishte një surprizë të pakëndshme.

Doganierët kontrolluan dhe bllokuan 11 kuti të mëdha nga bagazhet e ekipit. Sipas autoriteteve, në këto kuti kishte mallra të cilat vlenin rreth 25 mijë dollarë e për të cilat nuk ishte paguar doganë. Zyrtarët e Federatës ishin munduar që të kalonin këto kuti pa paguar doganë, siç ndodh zakonisht me materialet sportive që skuadra merr me vete.

Meqenëse vendi i Amerikës së Jugut po kalon një krizë të rëndë ekonomike, lajmi ka bërë bujë në Argjentinë dhe Federata e Futbollit reagoi menjëherë. Sipas saj, mallrat e konfiskuara ishin vetëm materiale që përdoreshin për analiza teknike në stërvitje apo nevojiteshin për ndeshje. Ata e cilësuan këtë çështje si një telash të shkaktuar me qëllim kundër federatës dhe se kishin dorëzuar dokumentacionin përkatës për këto kuti.

Por Zyra e Doganave i shihte gjërat komplet ndryshe dhe për të vërtetuar se kishte të drejtë, publikoi fotot e asaj që kishte gjetur brenda kutive. Ata treguan se përmbajta tregonte pajisje elektronike, instrumente muzikorë, lojëra apo rroba fëmijësh si dhe veshmbathje të ndryshme josportive e relativisht të kushtueshme.

Sigurisht, duket e vështirë që materiale të tilla t’i kenë shërbyer Dibala e Ikardit në këto dy ndeshje, apo në të ardhmen mund të ndihmojnë Mesit gjatë stërvitjes stërvitjen. Për çfarë mund të përdoren LEGO-t në stërvitje?

Nëse në Argjentinë një gjë e tillë ka bërë bujë, në Shqipëri nuk mund të thuhet se është një gjë e re. Shumë ish-futbollistë kanë pranuar edhe publikisht se para viteve ’90, shfrytëzonin udhëtimet e përfaqësueses shqiptare për të sjellë mallra të ndryshme kontrabandë nga vendet që vizitonin, gjëra të cilat sigurisht ishte e pamundur të siguroheshin në vendin tonë. /vipsport.al/