VIDEO / Verderi fiton dhe ngjitet i dyti, Rashica e ndjek nga tribuna

Milot Rashica do ta ketë shumë të vështirë që të fitojë hapësira në këtë sezon në radhët e Verder Bremen, pasi skuadra e drejtuara nga 35-vjeçari Florian Kohfeld po ecën me një ritëm mbresëlënës në fillimin e këtij sezoni edhe pa pasur nevojë për shërbimet e kosovarit.

Futbollisti ka ndjekur sot nga tribuna suksesin 3-1 të skuadrës së tij përballë Hertës së Berlinit, një tjetër ekipi që kishte lënë përshtypje të mira në javët e para të edicionit dhe mund të jetë nga surprizat në Bundesligë.

Golat e Harnik, Velijkoviç dhe Kruse bënë gjithçka të lehtë për Verder Bremen, ndërsa goli i Dilrosun për miqtë shërbeu vetëm për statistikë. Me këtë fitore, Verder u ngjit në vendin e dytë në renditjen e Bundesligës pas 5 ndeshjeve të para në kampionat.

Për Rashicën, ky në fakt nuk është një lajm i mirë pasi ekipi po ecën në mënyrë të shkëlqyer edhe pa të dhe kjo mund të sjellë qëndrimin e tij për një kohë më të gjatë në stol apo tribunë. Në 5 ndeshjet e para, mesfushori ofensiv i Kosovës ka luajtur në total 68 minuta, në tre takime të nisura nga pankina, ndërsa ka shënuar edhe 1 gol. /vipsport.al/