VIDEO / Tre gola në Kupë, Çinari kërkon më shumë minuta: Tani dua derbin!

Dy golat e sotëm të Erlado Çinarit i mundësuan Partizanit të përjetonte më qetësisht ndeshjen e kthimit të Kupës përballë Tërbunit të Pukës. Bashkë me golin e shënuar edhe në sfidën e parë, lojtari çoi në 3 bilancin personal të golave në këtë sfidë të dyfishtë ndaj pukjanëve, duke treguar se është në formë dhe se pretendon tani të ketë më shumë hapësira në radhët e ekipit kryeqytetas.

“Për çdo sulmues, që të gjejë rrjetën është diçka shumë e mirë pasi të ndihmon psikologjikisht edhe në ndeshje. Por shpresoj të vazhdoj me këto ritme edhe në kampionat, shpresoj të kem minuta edhe më shumë”, ishte apeli i tij ndaj trajnerit Gega në një prononcim për “SuperSport”.

Këto minuta ai i pret që në derbi, pasi shpreson të përjetojë atmosferën e një ndeshje të tillë. “Te Vllaznia kam luajtur kundër të dyjave. Dua të ndjej se si është të luash në një derbi. Shpresoj të kem minuta dhe të luaj e të marrim maksimumin në derbi”, ishin fjalët e sulmuesit që iu bashkua Partizanit në ditët e fundit të merkatos së verës. /vipsport.al/