VIDEO / Partizani mund Flamurtarin dhe afron kreun, vlonjatet në krizë

Partizani i është bashkuar Skënderbeut në kreun e renditjes të Kategorisë Superiore, duke mundur sot një rival direkt si Flamurtari. Të kuqtë janë konfirmuar si një prej ekipeve kryesore të këtij edicioni duke mundur me meritë vlonjatët në një ndeshje të kujdesshme, e cila ka qenë thuajse gjithmonë nën ritmin e tyre.

Goli i Mensah në pjesën e parë i dha qetësinë shpejt skuadrës kryeqytetase, përballë vlonjatëve të cilët përsëri u shfaqën shumë pak kërkues, njëlloj si në ndeshjen ndaj Skënderbeut të javës së kaluar. Më pas, të kuqtë administruan rezultatin dhe krijoi gjithsesi më shumë mundësi shënimi përballë miqve.

Në fund, perla e Telushit i dha suksesin 2-0 skuadrës së drejtuar nga Gega, ndërsa zhyt në krizë të plotë ekipin e Ilir Dajës i cili brenda pak ditësh ka parë të bien poshtë pretendimet me të cilat kishte filluar sezonin si një prej ekipeve që do të diktonte ritmin në këtë kampionat.

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Partizanit.

90’+4’ Tjetër mundësi shënimi për Partizanin. Asani shfaqet para Koliçit por ky i fundit eviton golin e  tretë për skuadrën e tij.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

90’ GOOOL Partizani, shënon Telushi. Goditje dënimi perfekte e mesfushorit i cili dërgon topin në rrjetë nga rreth 25 metra.

88’ Bardhi i jep frymëmarrje skuadrës së Partizanit duke dalë me një kundërzbritje të shpejtë. Batha detyrohet ta ndalë me faull rreth 25 metra larg portës së vlonjateve, duke i dhënë mundësi Partizanit që të ulë disi ritmin e këtyre minutave.

86’ Flamurtari hidhet plotësisht në sulm në kërkim të golit të barazimit, pasi vendasit i kanë lënë hapësira në mesfushë. Por mbrojtja e të kuqve vazhdon të shfaqet e pakalueshme dhe nuk lejon rreziqe para katërkëndorit të Hoxhës.

83’ Trashi nuk mund të vazhdojë më, futbollisti bën shenjë për zëvendësim. Në fushë futet Kalari në vend të tij

82’ Batha provon me të djathtën në hyrje të zonës, por goditja e tij ndalet në dy kohë nga Hoxha.

74’ Ilir Daja hedh në fushë një 17-vjeçar duke shpresuar që të ndihmojë skuadrën të gjejë golin e barazimit. Rrapaj zë vendin e Deliajt.

70’ Musta nga e majta shpërthen dhe provon të nis një top në zonë, por Belica është i vëmendshëm dhe largon rrezikun.

68’ Bardhi shfaqet i vetëm para portës vlonjate dhe mundohet të gjuajë, por ndalet në pozicion jashtë loje nga vijërojtësi.

64′ Vijojnë ndërrimet e skuadrave. në fushë Kote për Partizanin dhe Mustafa për Flamurtarin.

63’ Mosmarrëveshje mes mbrojtjes së Flamurtarit dhe portierit Koliçi. Asani vjen me shpejtësi dhe gjuan në portë, por Koliçi ndalon goditjen.

56′ Ndryshon edhe Flamurtari, në fushë hyn Musta në vend të Kotobellit në krahun e majtë të mbrojtjes.

53’ Goditje e rrezikshme e fortë e Telushit në hyrje të zonës, Koliçi me këmbë shpëton katërkëndorin e tij.

50’ I sapofuturi Gojkoviç vihet menjëherë në provë, duke larguar rreziqe nga zona e tij, pas harkimeve që kërkojnë Bushiç.

46’ Pjesa e dytë fillon me zëvendësim te Partizani. Atanda i lë fushën e lojës Gojkoviç në qendër të mbrojtjes.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Partizanit. Flamurtari krijoi më shumë volum loje në minutat e fundit të pjesës së parë por pa rrezikuar seriozisht portën e Hoxhës.

45’ Jepet një minutë shtesë.

40’ Harkim në zonë për Bushiç i cili ul sferën mirë, por Belica i largon topin nga këmbët para se të gjuante në portë.

38’ Bardhi jep një pasim të shkëlqyer për Asanin i cili hyn në zonë në krahun e majtë dhe i vetëm para Koliçit gjuan me forcë, por sfera përfundon jashtë katërkëndorit të portës vlonjate.

36’ Kotobelli nis një top të rrezikshëm nga e majta në zonën e Partizanit, Trashi largon sferën me një ndërhyrje të saktë në anësore duke evituar probleme për portën e Hoxhës.

33’ Lojë shumë e ashpër në këto minuta me ndërhyrje të shumta, kryesisht nga lojtarët e Flamurtarit që mundohen të ndalin treshen e shpejtë Mala-Asani-Bardhi, që sjellin edhe ndërprerjen e ndeshjes dhe ulin ritmin e lojës.

28’ Protesta në stadium nga tifozët, por edhe nga stafi i Partizanit që kërkon një faull në dëm të Jasir Asanit pranë zonës. Gjyqtari Cjapi bën shenjë që loja të vazhdojë.

25’ Në goditjen e dënimit vijuese, Asani harkon në zonë, por Belica me kokë nuk arrin përsëri të mposhtë Koliçin.

23’ Sirgi është lojtari i parë që ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrje të gabuar kundër Malës.

21’ GOOOL Partizani, shënon Mensah. Asani gjen mirë sulmuesin i cili shfaqet i vetëm patra portës pasi kalon Sirgi dhe me një parabël kalon Koliçin. 1-0

19’ Trashi nis harkimin e radhës nga e majta, Bardhi me shpejtësi gjuan drejt portës, por Koliçi është përsëri vendimtar me ndërhyrjen e tij.

18’ Koliçi shpëton skuadrën e Flamurtarit. Asani nga e majta gjuan në kuadrat, por sfera ndalet nga portieri i vlonjateve i cili korrigjon gabimin e mbrojtjes së skuadrës së tij për të shpëtuar portën.

17’ Insistim i gjatë i Trashit në krahun e majtë, disa harkime radhazi të futbollistit i cili sot luan në mbrojtje. Por mbrojtja e Flamurtarit arrin të largojë sferën nga zona me vështirësi.

13’ Goditje nga këndi për Partizanin. Asani harkon në zonë për Belicën në shtyllën e dytë por mbrojtësi nuk arrin të devijojë me kokë në portën e Koliçit.

9’ Ritmi është më i ulët në këto momente, pas një fillimi të vrullshëm ku skuadrat u munduan të shfaqeshin agresive dhe të gjenin të pavendosur mirë mbrojtjet kundërshtare. Tani të dy palët kontrollojnë mirë çdo situatë duke mos lënë hapësira për sulmuesit e të dy palëve.

3’ Edhe Mala provon të gjejë një gol të shpejtë për skuadrën e tij por goditja e lojtarit të Partizanit përfundon në rrjetën e jashtme.

1’ Fillim i vrullshëm i Partizanit me Mensah i cili shpërthen nga e djathta por harkimi në qendër për Asanin bllokohet nga mbrojtja kundërshtare.

1’ Nis ndeshja me shkelmimin nga qendra të Partizanit

PARTIZANI-FLAMURTARI 2-0
21′ Mensah, 90′ Telushi

Partizani: Hoxha, Trashi (83′ Kalari), Atanda (46′ Gojkoviç), Belica, Ibrahimi, Hila, Telushi, Bardhi, Mala, Asani, Mensah (62′ Kote).
Trajner: S. Gega

Flamurtari: Koliçi, Pollozhani, Sirgi, Kotobelli (56′ Musta), Siljanovski, Batha, Deliaj (74′ Rrapaj), Beqaj, Torasa (64′ Mustafa), Alvesh, Bushiç.
Trajner: I. Daja

KV: Sirgi

Gjyqtar: Kreshnik Cjapi