Video-moviola e Skënderbeu-Tirana / Gafa pa fund, gjyqtarët gabuan në momentet vendimtare

Nëse ka një ndeshje që mund të cilësohet e ndikuar nga vendimet e gjyqtarëve, ajo është padyshim Skënderbeu-Tirana. Vendimet e kryesorit Orlando Kuka dhe asistentëve të tij ndikuan ndeshjen, si për një skuadër, ashtu edhe për tjetrën, me një rezultat që mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe sikur të mos kishin marrë vendimet e gabuara në çdo moment vendimtar.

Gjithçka filloi që në minutën e dytë të ndeshjes, me një pasim të gjatë për Bregun i cili u nis i vetëm drejt zonës. Vijërojtësi sinjalizon në mënyrë të gabuar për pozicion jashtë loje. Mund të kishte qenë goli i 1-0 për vendasit dhe kush e di si do të vazhdonte ndeshja pastaj.

Pak minuta më vonë, kryesor Kuka gabon gjithçka duke falur Lulajn. Mesfushori ndal Blazhevskin në mënyrë të gabuar duke qenë lojtari i fundit por nga xhepi i gjyqtarit del vetëm kartoni i verdhë. Kushedi si do të kishte vazhduar ndeshja me Lulajn që largohej me të kuq që në minutat e para.

Ndoshta ndeshja do të kishte marrë një rrjedhë tjetër edhe në rastin e Radas, pak minuta pasi Tirana kishte shënuar golin e avantazhit. Ashtu si Lulaj, kapiteni i Skënderbeut ndalon topin me dorë me dashje duke qenë lojtari i fundit. Vetë kryesori nuk e pa këtë si karton të kuq, ndërsa edhe vetë Radas thuajse u nis për të dalë nga fusha e lojës pas atij veprimi. Në disavantazh dhe me një lojtar më pak, a do të kishte pasur forcë Skënderbeut të kthente ndeshjen?

Edhe pjesa e dytë nuk është më e mirë. Vijërojtësi që gaboi në vendimin për Bregun në pjesën e parë, bëri të njëjtën gafë edhe me Blazhevskin në të dytën kur ky i fundit u nis drejt portës së korçarëve.

Ndërkohë, Kuka nuk mbeti më pas me vendimet e tij të çuditshme. Kartoni i verdhë ndaj Imamit pas kontaktit me Vangjelin, për simulim, ishte një vendim i qartë që tregonte se nuk ia kishte shumë idenë se çfarë po bënte.

Se pse u bë një eksperiment i tillë i rrezikshëm dhe i dështuar me një gjyqtar i cili vjet gjykoi në total 5 ndeshje në Superiore, ndërsa në fushe luanin dy skuadra pretendente për majat e klasifikimin, vetëm në FSHF e dinë. Nëse vendimet e sotme ishin paaftësi apo ndonjë gjë tjetër, përsëri përgjigjen duhet ta japë ky institucion. /E.K./vipsport.al/