VIDEO / Kura e Mezanit funksionon, Luftëtari mund pastër Teutën

Ndërrimi i trajnerit i ka bërë mirë Luftëtarit, pasi brenda pak ditësh, skuadra e brishtë e Koshtiç është kthyer nën drejtimin e Mezanit në një ekip që dominoi dhe i shënoi me lehtësi 3 gola një ekipi si Teuta i cili ishte lavdëruar për një mbrojtje thuajse të pathyeshme në javët e para.

Gjirokastritët kanë krijuar më shumë lojë e raste, për të kaluar në avantazh me Shkurtajn në pjesën e parë, e për të vendosur diktatin e tyre në pjesën e dytë me Rapon e Milosavljev, ndërsa kundërpërgjigja Teutës erdhi vetëm me një penallti të Latif.

Suksesi i jep frymëmarrje Luftëtarit që notonte në ujëra të turbullta, ndërsa Teuta tashmë konfirmohet në krizë dhe në vështirësi të mëdha, duke treguar se duhet kohë për të kthyer në ekip një grup të madh individësh të afruar gjatë merkatos së verës.

Minutë pas minute:

90’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 3-1 të Luftëtarit.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

86’ Harkim i gjatë drejt zonës për Kamara, Ruçi del saktësisht dhe largon topin para se të ndërhyjë futbollisti i Teutës.

82’ Teuta mundohet të zhvendosë lojën në gjysmëfushën kundërshtare, për të përfituar në këto minuta dhe kërkuar një gol të dytë, edhe pse me 10 lojtarë. Por Luftëtari rreshtohet mirë në prapavijë dhe nuk lë hapësira.

77’ GOOOL Teuta, shënon Latif. Sulmuesi realizon pas një penalltie të fituar nga Kamara pas përplasjes me Liçajn.

74’ Kallaku provon nga jashtë zonës, nuk gjen katërkëndorin e portës gjirokastrite.

70’ Teuta me 10 lojtarë. Sidibe ndëshkohet brenda pak minutash me dy kartonë të verdhë dhe lë fushën e lojës para kohe.

63′ GOOOL Luftëtari, shënon Milosavljev. Pas zhvillimit të një goditje dënimi, Shkurtaj ul topin për mesfushorin i cili në hyrje të zonës lëshon një gjuajtje të saktë që ndalet vetëm në rrjetë pas krahëve të Hidit.

59′ GOOOL Luftëtari, shënon Rapo. Futbollisti lëshon një predhë nga distanca që mposht Hidin dhe shton entuziazmin në tribuna.

54’ Aksion i mirë i Teutës, harkim në zonë për Prognin i cili gjuan me kokë, por Ruçi në dy kohë pret topin.

49’ Kundërsulm i shpejtë i skuadrës së Luftëtarit, Shkurtaj pason për Ymerajn dhe vetëm një ndërhyrje me këmbë e Hidit i heq topin mesfushorit duke kaluar sferën në këndore.

47’ Hakaj nis një top të gjatë në zonën gjirokastrite, por prapavija kontrollon qetësisht.

46′ Pjesa e dytë fillon me lëvizje në radhët e Teutës, me Traore i cili i lë fushën Krujës.

45+2′ Mbyllet pjesa e parë.

45’ Godet Progni, por topi përfundon jashtë. Akordohen 2 minuta shtesë.

44’ Goditje dënimi në favor të Teutës në hyrje të zonës dhe është Progni ai që e merr përsipër.

37’ GOOOL Luftëtari! Radoviç ka një top në zonë dhe i vetëm e nis për Shkurtajn që ndodhet pranë pikës së bardhë te penalltisë, duke goditur i pashqetësuar dhe duke kaluar ekipin e tij në avantazh. Luftëtari-Teuta 1-0

35’ Progni në zonë në një dyluftim shpejtësie me Xheksonin detyrohet të shkaktojë faull në dëm të mbrojtësit.

30’ Krosim i ulët në zonë për Shkurtajn i cili godet menjëherë dhe Ymeraj mundohet të devijojë rrugën e topit, por Hidi pret i sigurt edhe njëherë tjetër.

27’ Latif kalon në krahun e majtë dhe provon të niset para, por Hoxha mbyll duke larguar në rivënie anësore.

25’ Pasiguri në mbrojtjen e Teutës dhe Shkurtaj provon nga distanca, por sfera shkon mbi traun e portës së mbrojtur nga Hidi.

23’ Skuadrat i drejtohen panënave për një pushim të shkurtër në mënyrë që futbollistët të freskohen, ndërkohë që trajnerët përfitojnë të japin udhëzime.

18’ Krosim në zonë dhe tjetër goditje nga këndi. E dytë radhazi për Teutën. Kromohet topi por largojnë mbrojtësit.

17’ Goditje dënimi në favor të Luftëtarit. Kroson Progni në zonën por topi shkon rrezikshëm në portë, duke detyruar Ruçin të largojë në goditje këndi.

12’ Xhekson mundohet të dalë para, por është Traore ai i cili ndërhyn saktë duke mbyllur aksionin.

10’ Progni nis një top nga  djathta për Latif, por ky i fundit e humbet mes dy futbollistësh.

7’ Skuadrat duket sikur më shumë po studiojnë njëra-tjetrën pa rrezikuar seriozisht asnjërën portë.

3’ Bici nuk arrin të kontrollojë një top në mbrojtje që shkon në drejtim të zonës, por del Hidi duke larguar rrezikun me këmbë.

1′ Nis sfida në Gjirokastër

Luftëtari-Teuta 3-1
Shënues: 37′ Shkurtaj, 59′ Rapo, 63′ Milosavljev / 76′ (p) Latif

Formacionet:

Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Rapa, Hoxha, Xhekson (79′ Demo), Ramadani, D. Rapo, Ymeraj, Radoviç (90’+3′ Dunga), Milosavljev (86′ Hyseni), Shkurtaj.
Trajner: Gentian Mezani

Teuta: Hidi, Gjorgjievski (87′ Gashi), Bicaj, Osmani, Hakaj, Avdyli (62′ Kallaku), Sidibe, Traore (46′ Kruja), Progni, Kamara, Latif.
Trajner: Bledi Shkëmbi

KV: Rapo, Ramadani / Progni, Sidibe, Bicaj

KK: Sidibe

Gjyqtarë: Laver Alla, Marjus Qose, Edlir Malo, Hermal Llapra.