VIDEO/ Ëndrrat mund të bëhen realitet! Historia e Modriç, nga bari te trofeu “Futbollisti më i mirë”

Të shumtë janë futbollistët që ditët e sotme kujtojnë me nostalgji periudhat kur ishin në hapat e parë të karrierës dhe aktivizimin me skuadra inferiore, ata i konsiderojnë si vuajtje në jetë. Mjafton të përmendet historia e Modriç, për të kuptuar gjithsecili se çdo të thotë të vuash i vogël dhe që sot të jesh futbollisti më i mirë në botë.

Fëmijëria e Modriç, është nga ata fëmijëri që askush nuk do të donte ta jetonte. Ai ishte i detyruar të ruante delet dhe dhitë në fshatin e tij dhe nuk ishin të rralla rastet, kur përballë futbollistit më të mirë sot, të dilnin ujqër e kafshë të tjera të egra. Sot, Modriç nuk mbahet më mend si “Bariu më i mirë” por të gjithë e njohin si njeriu që realizoi ëndrrën e tij, por edhe të një kombi të tërë.

Ai udhëhoqi Kroacinë deri në finalen e Kupës së Botës, duke mrekulluar të gjithë tifozët. Kulmi i tij, arriti në mbrëmjen gala të zhvilluar në Londër, ku mposhti Ronaldon, Mesin, Grizmanin, Mbapen, Salahun e shumë yje të tjerë, duke fituar trofeun “Futbollisti më i mirë në botë”.

“Ju gjithmonë keni ëndrra kur filloni të luani futboll. Unë jam një njeri që gjithmonë kam si qëllim dhe objektiv që të bëhem më i miri dhe falë Zotit, sot jam këtu ku jam. Kam punuar fort, i kam dhënë një shtysë të madhe vetes për të realizuar atë që unë doja dhe me punën e madhe arrita këtu sot. Nuk mund të harroj ndihmën e familjes dhe shoqërisë.

Suksesi arrihet duke besuar në vete, edhe pse të tjerët e kanë humbur besimin te ti. Duke qenë një njeri pozitiv, duke qëndruar pranë familjes dhe duke parë vetëm nga e ardhmja janë rrugët e suksesit. Duhet të mbani mend që duhet punuar fort dhe nuk duhet humbur përqendrimi asnjëherë.

Jam njeri modest dhe jam shumë me këmbë në tokë. Jam shumë familjar dhe kohën më të madhe të pushimeve, e shpenzoj pranë familjes, duke ndarë me to momentet më të bukura”, shprehej Modriç pasi fitoi trofeun si futbollisti më i mirë. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/