Vazhdon diktatura e FSHF-së, Disiplina dënon ironinë në banderolën e “Guerrils”

Federata Shqiptare e Futbollit nuk e njeh fjalën ironi dhe në stilin më tipik diktatorial, ndëshkon çdo lloj mendimi ndryshe ndaj saj. Kësisoj, nuk kishte si të shpëtonte banderola tallëse e “Ultras Guerrils” në ndeshjen ndaj Flamurtarit, ku ata i kundërviheshin FSHF-së dhe sistemit të ndërtuar prej saj.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Disiplinës, koreografia e shpalosur nga tifozët e Partizanit i ka kushtuar 50 mijë lekë klubit, pasi është ndëshkuar për sjellje të gabuar të spektatorëve. Një tjetër vendim absurd që del nga ky komision juridik i cili ka treguar hapur se çfarë funksioni ka.

Ndërkohë, e ka pësuar edhe klubi i Kastriotit, që do të detyrohet të luajë një ndeshje pa tifozë, pasi një person i paautorizuar ka hyrë në fushën e lojës gjatë takimit të fundit kundër Laçit.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSHF datë 25.09.2018

  1. FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve në ndeshjen kundër “Flamurtari” FC në bazë të nenit 66/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lek.
  2. KF “Kastrioti”, për hyrjen e një personi të pa autorizuar brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës, në bazë të nenit 65/3.a të KDS, dënohet me zhvillimin e 1(një) ndeshje pa spektator në stadiumin përkatës.
  3. Lojtari i KF “Vora”, Florian Peqini ,për dhunë ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të nenit 48/1.e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  4. Lojtari i KF “Iliria”, Emanuel Dulo ,për dhunë ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të nenit 48/1.e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  5. KF “Lushnja”, për sjellje të gabuar të spektatorëve në ndeshjen,në bazë të nenit 66/2 të KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lek. Në aplikim të nenit 136/1.a të KDS, gjoba paguhet në masën 50%.
  6. KF “Egnatia”, për sjellje të gabuar të spektatorëve në ndeshjen,në bazë të nenit 66/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lek. Në aplikim të nenit 136/1.a të KDS, gjoba paguhet në masën 50%.
  7. Zyrtari i “Egnatia”,Agron Aliu ,për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 56/1.a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në bazë të nenit 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes, qëndrimi në stolin e rezervave dhe territori përreth fushës së lojës.
  8. Zyrtari i “Juban Danja” femra, Ferdinand Janku, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 56/1.a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në bazë të nenit 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes, qëndrimi në stolin e rezervave dhe territori përreth fushës së lojës.