U dëmtua në start të sezonit, klubi fierak në mbështetje të mbrojtësit

Denis Duda është një nga lojtarët premtues të Kategorisë së Parë, i cili edicionin e shkuar ishte titullarë te Apolonia. Por, në startin e këtij sezoni, Duda pësoi një dëmtim të rëndë, dhe menjëherë iu desh ndërhyrje kirurgjikale në gju, e cila me shumë gjasa do ta mbajë larg fushave të blerta për një periudhë të gjatë Dudën.

Nga sa bëhet e ditur nga klubi fierak, Denis Duda do të qëndrojë 6-7 muaj larg fushave të blerta, ndonëse operacioni ka kaluar me sukses. Klubi i Apolonisë, nëpërmjet faqes “FK Apolonia” në “Facebook” i qendron pranë dhe i jep mbështetje morale dhe psikologjike mbrojtësit premtues.

“Ditët e errëta në karrierën sportive kanë prekur shumë lojtarë, të cilët kanë gjetur forcën dhe janë rikthyer në fushë për të dhënë më shumë nga ç’kanë bërë më parë! Një prej tyre është dhe Duda! Denis Duda u dëmtua gjatë një seance stërvitore e si për pasojë nuk mund të evitonte operacionin në gjurin e majtë të këmbës. Stafi drejtues, ai trajnues, administrata dhe shokët e skuadrës, të gjithë së bashku i urojmë shërim të shpejtë shtatlartit të mbrojtjes tonë dhe rikthim sa më të shpejtë në fushë!”, – ka qenë postimi inkurajues i klubit fierak. /Vipsport.al/