Tradhton njëkohësisht Shqipërinë e Kosovën, Kastrati: Dua Kroacinë se është më e fortë

Një talent shqiptar është gati t’i kthejë shpinën njëkohësisht si Shqipërisë, ashtu edhe Kosovës. Lirim Kastrati është bërë gati të braktisë të dy përfaqësueset me të cilat ka luajtur në të kaluarën për të veshur fanellën e Kroacisë, shtet në të cilin po aktivizohet me sukses te Lokomotiv i Zagrebit.

Kastrati ka shënuar 5 gola në 8 ndeshjet e këtij sezoni në Kroaci, duke shkëlqyer edhe pse vetëm 19-vjeçar, e normalisht ka tërhequr vëmendjen e përfaqësueses. Shqipëria e monitoron prej kohësh, pasi ai ka qenë pjesë e saj me U17. Ndërsa Kosova arriti ta rrëmbente më pas duke e aktivizuar me U19 dhe U21 talentin e jashtëzakonshëm të sulmit.

Por me sa duket, ai i ka sytë te Kroacia, e cila ka bërë gati procedurat dhe do t’i japë shumë shpejt nënshtetësinë,. Këtë e konfirmoi edhe vetë lojtari sot për mediat kroate. “Kam folur me njerëz nga të dy federatat, nuk kam vendosur ende. Por unë kam dëshirë të luaj me Kroacinë. Nuk kam ende pasaportën kroate por mund ta marr sa të mbush tre vitet këtu dhe të luaj me ekipin e parë.

Kroacia është në futboll më e mirë dhe më e fortë se Kosova e Shqipëria, ndaj kam shumë dëshirë që të vesh fanellën e Kroacisë”, ishin fjalët e Kastratit. /vipsport.al/