Tetova: Jemi në një moment të mirë, kundër Tiranës një sfidë e vështirë

Zv. trajneri i Skënderbeut, Edlir Tetova ka folur para ndeshjes kundër Tiranës, ku përmendi ndeshjen e kaluar kundër Flamurtarit dhe ish-teknikut Daja, si dhe për ndeshjen kundër skuadrës kryeqytetasve, ku parashikon një sfidë shumë të vështirë:

“Ndeshja kundër Flamurtarit është një kapitull i mbyllur, skuadra tregoi karakter dhe grintën e duhur për të marrë atë që duhej. Për ndeshjen e radhës, kemi përgatitur gjithçka. Skënderbeu është një skuadër që ka një përzierje të mirë të talenteve dhe lojtarëve me eksperiencë.

E studiuam shumë mirë Dajën gjatë gjithë javës, Flamurtari kishte pikat e saj të forta, ashtu si dhe ne. Por duke e njohur Dajën mirë, bëmë gjërat që duheshin dhe i bëmë shumë mirë.  Eksperienca që Skënderbeu ka është shumë e rëndësishme për ne. Lojtarë si Radash, Vangjeli dhe Muzaka po e ndihmojnë shumë skuadrën.

Jo vetëm neve, por të gjithë skuadrave iu duhen tifozët. Nuk themi kot që ata janë lojtari i 12-të i ekipeve. Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër Tiranës, pasi kanë arritur të ruajnë grupin që kishin dhe vjet. Kjo është një gjë shumë pozitive për ta. Parashikojmë një sfidë shumë të vështirë kundër tyre”,- u shpreh Tetova./Veronik Istrefaj – vipsport.al/