Tare blindon yjet: Rinovimet janë gati, do bëjmë një sezon të madh

Igli Tare ka folur sot rreth situatës së Lacios në këtë fillim sezoni, pritshmërinë që ka ndaj skuadrës e cila ende nuk është shfaqur në nivelet e kërkuara si dhe rinovimet që përfliten për disa prej yjeve të skuadrës. Drejtuesi shqiptar i Lacios ka pranuar se ekipi është përballur me disa vështirësi, por ka bindjen e plotë që do të dijë të tregojë veten.

“Duke parë eksperiencën e sezonit të kaluar, sidomos në fundin e edicionit me dëmtimet e 4-5 lojtarëve kyç, kuptohet që kemi paguar mungesat, ndaj kemi këtë përbërje aktualisht. Tani gjendemi në një pozicion në të cilin nuk jemi mësuar të gjendemi. Niseshim gjithmonë si surprizë ndërsa këtë vit kemi deklaruar që në fillim se deshëm të ishim protagonistë.

Kemi shfaqur pak vështirësi, kemi parë skuadrën e vitit të kaluar vetëm në 30 minutat e parë kundër Napolit. Por në dy ndeshjet e fundit është vënë re se kemi vështirësi nga pikëpamja psikologjike. Kemi folur në ditët e fundit për të analizuar situatën dhe jam i bindur se do të bëjmë një sezon të madh”, shpjegoi Tare problemet e skuadrës në këtë fillim kampionati.

Një temë e nxehtë është ajo e rinovimeve të emrave si Imobile dhe Milinkoviç-Saviç. Tare ka qetësuar të gjithë tifozët, duke u bërë të qartë se akordi me ta është gati. “Është çështje ditësh. Deri në fillim të javës së ardhshme do të jetë mbyllur gjithçka. Kemi prej kohësh akordin me ta”, theksoi ai. /vipsport.al/