Spanjollët “rrudhin buzët” për Manajn: Bëri 6 mijë kilometra për… 24 minuta!

Rei Manaj ka filluar të bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e grupit të përfaqësues së Shqipërisë, duke fituar edhe minuta me fanellën kuqezi nën drejtimin e Panuçit, pas një raporti jo edhe aq të mirë me paraardhësin e tij, Xhani De Biazi. Pavarësisht zërave të ditëve të fundit për një krisje me teknikun, lojtari pritet të jetë edhe në vijim pjesë e përfaqësueses shqiptare, pasi garanton një lojë ndryshe nga ajo e sulmuesve që ka në dispozicion trajneri në këtë pjesë të vitit.

Por nëse Manaj është i lumtur qoftë edhe me grumbullimin në ekipin kombëtar, në Spanjë duket se nuk janë të kënaqur me sforcimin e lojtarit për 8 ditët e grumbullimit, pasi ka udhëtuar shumë e ka luajtur shumë pak. Në fakt, Manaj ka qëndruar në stol në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Izraelit, ndërsa u aktivizua në minutat e fundit të sfidës ndaj Skocisë, pa arritur të lërë shenjë.

Mediat spanjollë i kanë dhënë rëndësi faktit se lojtari i Albacetes, është sforcuar për të qenë në dispozicion të ekipit kombëtar. “Rei Manaj u kthye sot në stërvitje, duke i dhënë fund peripecive të tij, pasi ka udhëtuar këto ditë më shumë se 6 mijë kilometra për të luajtur 24 minuta me Shqipërinë”, shkruanin portalet pranë klubit, duke nxjerr në pah shqetësimin e Albacetes për gjendjen e lojtarit.

Ndoshta në Spanjë prisnin më shumë nga ky udhëtim i Manajt por e kanë të kotë që ankohen pasi ka edhe më keq. Ansi Agolli ka bërë një udhëtim edhe më të lodhshëm Azerbajxhan-Shqipëri-Skoci-Azerbajxhan, për të dalë në 2 konferenca për shtyp si kapiten e për të mos zbritur në asnjë moment në fushën e lojës. /vipsport.al/