Shqipëri-Izrael, analiza e Fagut: Fituam Binakun por kemi probleme ne mbrojtje

Erbim Fagu, ish-futbollist i disa nga skuadrave elitare në Kategorinë Superiore, por edhe një ish i ekipeve kombëtare u detyrua të linte futbollin e luajtur në një moshë të re, për shkak të një dëmtimi. Megjithatë, Fagu sërish nuk ka qëndruar larg futbollit, duke qenë se merret me trajnimin dhe shpesh herë me analiza të ndeshjeve.

Këtë radhë, Fagu ka analizuar për “VIP Sport” takimin Shqipëri-Izrael e fituar nga ekipi ynë me rezultatin 1-0. Ai ka analizuar vendosjen e skuadrave në fushë, duke dhënë edhe mendimin dhe vlerësimin e tij personal në lidhje me disa nga futbollistët kuqezi.

Shqipëri-Izrael 1-0
“Shqiperia në këtë ndeshje vinte pas disa ndeshjesh miqësore jo shumë të mira si në rezultat po ashtu edhe në mënyrën organizative të lojës. Shqipëria, pas atyre ndeshjeve dhe humbjeve, për të rikthyer besimin dhe moralin në skuadër do e kërkonte me patjetër fitimin e ndeshjes. Kjo u duk edhe tek tensioni qe shfaqte trajneri Panuçi gjatë lojës.

Skuadra jonë e kishte nisur takimin me një rreshtim 4-2-3-1 po ta shikonim ne letër. Pavarësisht kësaj vendosjeje, gjatë pjesës së parë u pa qartë që Basha kishte marrë detyrat për të bere regjisorin dhe vendosej më shumë i vetëm para mbrojtjes duke shtyrë pak më përpara Xhakën dhe Memushajn. Në pjesën e dytë patëm një vendosje me dy mesfushorë para mbrojtjes, të cilët ndihmonin në mbylljet e zonave gjatë fazës defensive te cilën, izraelitet tentuan ta shfrytëzonin gjatë pjesës së parë.

Një ndeshje mjaft e mirë e të dy mesfushorëve, Basha dhe Memushaj të cilët me eksperiencën dhe cilësitë e tyre arritën të dominojnë mesin e fushës në pjesën e parë. Nuk duhet të harrojmë Xhakën që rikthehet në ditët e tij më të mira. Në qoftë se dy mesfushorët që thash më sipër ishin në ditën e tyre më të mirë, nuk duhet të harrojmë që Xhaka ka plotësuar punën e tyre duke thyer disa aksione dhe duke mbështetur në çdo moment këto të dy. Memushaj, një lojtar ekspert për të sulmuar zonat e kundërshtarit pa top dhe duke u bërë disa herë i rrezikshëm por i pa shërbyer nga shokët e skuadrës.

Elseid Hysaj zhvilloj një ndeshje mesatare, jo në nivelin e tij më të mirë duke gabuar disa herë. Kjo tregon që ka mungesë freskie në fizikun e tij nga faza përgatitore që ka zhvilluar me skuadrën e Napolit. Gjithsesi ne pjesën e dytë u pa më aktiv duke marrë përsipër disa inkursione dhe duke e vënë ne vështirësi kundërshtarin.

Fjalët më të mira për Binakun, kemi fituar një mbrojtës të majtë me mjaft vlera. Një lojtar qe merrte pjesë si ne fazën ofensive dhe në atë defensive. I fortë ne situatat një kundër një dhe lojtar mjaft cilësor.

Vazhdojmë të kemi probleme me qendrën e mbrojtjes. Mungesa e një eksperti si Mavraj është në dëmin tonë. Shpresojmë që ai të rikthehet të luajë në kampionatin grek pasi akoma nuk ka minuta në këmbët e tij për të zhvilluar një 90 minutësh të plotë.

Hyka dhe Gavazaj gjatë pjesës së parë u panë fare pak. Gavazaj ishte i bllokuar deri ne momentin që filloi të spostohej nga brenda për të rënë në kontakt me topin dhe për të fituar besim tek skuadra dhe tek vetja. Në rast se do të kishte pasur me tepër iniciativë do të kishim qene akoma me te rrezikshëm. Më befasoi Hyka që asnjëherë nuk tentoi të futej në situate një kundër një, që kjo është arma e tij më e fortë, po ashtu dhe Hyka nuk u shfaq me iniciativë për të shkuar në duele me kundërshtarin.

Skuadra e Izraelit në këtë takim ishte vendosur me një rreshtim 3-5-2. Një skuadër qe ishte relativisht më e dobët se ne, me disa elementë të cilët ne rast se u lejohej hapësire mund edhe të bënin keq.

Vendosja me tre mbrapa i kishte dhënë mundësinë të dy anësorëve që të kërkonin topat e linjës dhe të krijonin situatë tre kundër dy ose tre kundër një me mbrojtësit anësore. Deri në momentin e ndryshimit të pozicionimit të dy mesfushorëve, po hasnim probleme në krahët e mbrojtjes ku shpesh herë kundërshtari gjendej një kundër me mbrojtësit anësore.

Një fitore me vlera që na rrit besimin dhe moralin për ndeshjen e radhës me Skocinë ku medoemos nuk duhet të dalim me rezultat negativ”, u shpreh Fagu. /Vipsport.al/