Shkodra: I lumtur që u zgjidh problemi, duhet të jap më shumë për Kukësin

Pak ditë më parë, klubi i Kukësit vendoi të dënonte Donjet Shkdorën duke e detyruar që të stërvitet me ekipin B, ndërsa në ditët e fundit duket se gjithçka është zgjidhur pas mesfushori nga Kosova ka nisur stërvitje normalisht me skuadrën.

Në një prononcim për “Supersport”, Shkodra është shprehur se i vjen mirë që kjo situatë ka marrë fund, duke shtuar se e ndien që duhet të japë më shumë për Kukësin.

“Ishte një situatë me ngërç të vogël por gjithçka është rregulluar dhe jam i lumtur që po vazhdoj. Mendoj se këto 6 muaj nuk kanë qenë të këqija si grup, por personalisht duhet të bëj më shumë, siç kam bërë në ndeshjet me ekipet e tjera të karrierës sime.

Personalisht mendoj se Teuta ka ekip e trajner të mirë dhe do të jetë një ndeshje e vështirë jo vetëm për ne por për çdo ekip. Megjithatë, Kukësi nuk do të luajë me mendimin që mos të fitojë ndeshjen.

Rexhinaldo? E njohim mirë dhe e dimë çfarë kualitetesh ka dhe e tregoi në 3 golat ndaj Tiranës. Do të na mungojë pasi për këtë punë ka ardhur por do të tentojmë që të mos e ndiejmë shumë mungesën e tij”, u shpreh Donjet Shkodra. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/