Shkëlqeu me Brazilin, sulmuesi rrëfen: Më refuzuan shumë klube, shisja akullore dhe kthehesha nga stërvitja në këmbë

Para pak ditësh, Brazili arriti të fitonte ndaj Salvadorit me rezultatin e thellë 5-0 dhe një nga lojtarët që shkëlqeu në këtë takim, ishte sulmuesi i Evertonit, Riçarlison duke shënuar 2 gola. Ai u ble nga Evertoni për 40 milionë euro nga Uatfordi.

Në një rrëfim për prestigjozen spanjolle “AS”, Riçarlison është shprehur se dikur e kanë refuzuar shumë klube dhe më pas ishte detyruara të mendonte seriozisht të hiqte dorë nga ëndrra e tij për t’u bërë një futbollist.

“Gishtat e dorës sime nuk mjaftojnë për të treguar se sa klube më kanë refuzuar në jetë”, nis rrëfimin 21-vjeçari. “Unë isha gati të hiqja dorë nga futbolli, por unë mbajta kokën lart dhe shkoja në Belo Horizonte me para vetëm për vajtjen, pasi për kthimin në shtëpi nuk kisha më para të tjera. Dikur, bëra një udhëtim që zgjati 600 kilometra, dhe mendoja se nëse do më thonin jo, do të duhej të kthehesha në këmbë në shtëpi”, shprehet sulmuesi.

“U detyrova të qëndroja në një shtëpi të vogël, si barakë vetëm që të isha pranë fushës stërvitore, pasi nuk kisha para për të marrë autobus. Shisja ëmbëlsira dhe akullore në rrugë dhe në kohë pushimi, duhej të dilja në ara duke punuar tokën për të ndihmuar prindërit e mi financiarisht. Duhej ta bëja sepse ata dhanë gjithçka për të realizuar ëndrrën time dhe për t’u bërë futbollist”, thotë mes të tjerash Riçarlison. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/