Sekretet e Radas: Më ka pëlqyer gjithmonë Tirana, i frikësohem vetëm… Skënderbeut

Marko Radas është kthyer këto vite në një korçar të vërtetë dhe këtë e konfirmoi edhe kur vendosi në verë që të mbetej pjesë e Skënderbeut ndonëse oferta që kihet marrë nga Flamurtari ishte më e lartë.

“Pas shtatë vitesh këtu, paraja nuk është gjithçka, ka gjëra të tjera më përpara dhe presidenti e Shehi më bindën, më dhanë shiritin dhe vendosa të rrija. Po, është e vërtetë që Daja më kërkoi te Flamurtari”, tha ai në “Zona Gol”.

Në emision Radas ka konfirmuar gjithashtu një sekret të vogël sa i përket ekipit që do kishte dashur të luante po të mos ishte pjesë e korçarëve. “Ju tregoj nj sekret të vogël që mua gjithmonë më ka pëlqyer Tirana”, tha kapiteni i korçarëve, i cili i pyetur edhe rreth skuadrave që kishte më shumë frikë si rivalë në këtë sezon, nuk ngurroi të përgjigje në mënyrën e tij të zakonshme. “Skënderbeu, kam frikë vetëm nga Skënderbeu, kuptojeni vetë, kemi frikë nga vetja”, tha ai.

Megjithatë, Radas pranoi se ky sezon ishte pak më ndryshe se të tjerët, pasi pavarësisht fillimit të mirë, ekipi ishte i mbushur me lojtarë të rinj e gjërat duheshin interpretuar me kujdes.

“Akoma është fillimi, janë vetëm 5 ndeshje, edhe unë e Kristi e Muzaka nuk e kemi një ide ende nëse ekipi është shumë apo më pak i fortë. Por në këto 5 ndeshje fillimi është shumë i mirë. Megjithatë nuk bëhen dot krahasime me të kaluarën. Teqja është portier shumë i mirë. Por nuk mund të krahasohet me Shehin, se ai ka luajtur 500 ndeshje, është e pamundur. Koha do të tregojë sa jemi mirë dhe sa jemi dobët.

Jemi në një situatë jo të thjeshtë dhe presim atë vendim, jemi me mendjen aty. Çfarë do të bëhet dhe çfarë vendimi do të japë KAS nuk e di, por do t’i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje. Më pas ia lëmë kohës”, tha Radas. /vipsport.al/