Rrëfimi i Limajt për “VIP Sport”: Kam një peng nga e kaluara, kam refuzuar shumë oferta nga Gjermania

I afruar te Kukësi me shumë polemika, ish-mesfushori i Bylisit, Vesel Limaj po kalon një formë mjaft të mirë në kampionatin shqiptar, duke zënë një vend titullari në formacion me verilindorët. Në një rrëfim për “VipSport.al”, Limaj ka folur në lidhje me transferimin e tij te Kukësi, por gjithashtu tregon edhe pengun që i ka mbetur nga koha kur është larguar nga Hamburgu.

Largimin nga Bylisi e kërkova vet pasi doja me çdo kusht që të luaja te Kukësi dhe nuk jam penduar aspak për këtë vendim që kam marrë në verë. I vetmi peng që kam nga e kaluara, është largimi nga Hamburgu drejt Austrisë. Kam bërë gabim, duke qenë se kisha shumë oferta nga klube të ndryshme gjermane, por vendosa t’i refuzoja duke u larguar në Austri”, e nis rrëfimin e tij Limaj.

Megjithatë, ai është i bindur që duke punuar fort, mund të arrijë në nivele të larta sërish, pasi pavarësisht se po luan rregullisht, nuk e ka kapur formën e tij më të mirë.

“Kam kaluar një kohë të gjatë që nuk kisha të drejtë të luaja në ndeshje zyrtare, por  vetëm jam stërvitur fort me Kukësin dhe mendoj se kam bërë mirë. Tani kam nisur të luaj dhe po mundohem të jap maksimumin, në mënyrë që të arrij në formë time më të mirë. E di deri sa arrin niveli im dhe kam besim se me shumë punë, do të arrij të jap më mirë se kaq në fushën e blertë”, u shpreh Limaj.

Sakaq, në lidhje me sezonin aktual, Limaj preferon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke mos folur për objektiva konkretë. Ai e pranon se në Superiore ka shumë konkurrencë, ndërkohë që forma e mirë e Kukësit nuk e tremb për ndonjë eufori. Ai flet edhe për dëmtimin e rëndë që ka pësuar Besar Musolli dhe mungesën e gjatë të mesfushorit nga Podujeva.

“Nuk mendoj se skuadra mund të ketë eufori duke qenë se stërvitemi çdo ditë dhe japim maksimumin për të marrë më të mirën. Kampionati po na tregon se çdo ekip mund të fitojë çdo ndeshje, pasi nuk ka shumë diferenca mes skuadrave. Kjo na bën që të jemi më shumë të përqendruar dhe mos të lëmë vend për eufori.

Një mungesë e madhe për ne, është Besar Musolli. Ai është një nga lojtarët më të rëndësishëm për të gjithë skuadrën, por sidomos për mua që më ka afruar dhe më ka mbështetur në çdo moment si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. Do të ma mungojë eksperienca dhe qetësia e tij ën fushë”, përfundon Limaj. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/