Rexhinaldo: Dua të shpallem golashënues, respekt për të gjithë por ne jemi Kukësi

Me 4 gola në dy takimet e fundit, Rexhinaldo po e zëvendëson mirë Sindrit Gurin në këtë fillim sezoni dhe ka qenë vendimtar në dy takime. Si ndaj Tiranës, ashtu edhe ndaj Teutës, sulmuesi nga Mozambiku i dhuroi 6 pikë verilindorëve.

Në një prononcim për “Superport” ai shprehet se qëllimi i tij është të shënojë sa më shumë gola dhe të ndihmojë skuadrën e tij, ndërkohë që e pranon se këtë sezon synon që të shpallet edhe golashënues.

“Kur shënon fiton besim dhe e rëndësishme është të shënosh e fitosh. Kemi luajtur mirë në ndeshje te fundit dhe shënova gol por edhe nëse nuk shënoj unë, dua të ndihmoj ekipin që të fitojë.

Kemi punuar shumë dhe duhet të zbresim për të bërë më të mirën. Ndaj Kamzës duhet të fitojmë dhe duhet të jemi të përqendruar. E respektojmë kundërshtarin, por ne jemi Kukësi.

Dua që këtë sezon të shënoj sa më shumë gola dhe në fund të kampionatit të shpallem golashënues pasi i di cilësitë e mia dhe kam besim si te vetja ashtu dhe te shokët.

Kukësi është një ekip i madh dhe duhet që në fund të sezonit të fitojmë titullin kampion”, u shpreh Rexhinaldo. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/