Projekte madhore për akademinë dhe talente nga Ballkani, Vllaznia synon rikthimin e madh

Pavarësisht ecurisë pozitive në kampionat, drejtori teknik i skuadrës së Vllaznisë, turku, Ergin Firat, i cili për “Telesport”, ka pohuar se në skuadër ka ende probleme: “Ka problem, madje edhe financiare, por ne do të vazhodjmë që të bëjmë punën tonë si profesionistë.

Por, kam marrë garanci se do të zgjidhet dhe të jem realist, kjo periudhë më ka shërbyer për të kuptuar se kush mbështet vërtetë, – kanë qenë fjalët e para të turkut që ka ardhur me projekt në Shkodër gjatë verës së shkuar.

“Sa i përket pirjes së ujit me zorrë në stërvitje, ju i dini më mirë se si janë kushtet e futbollit në Shqipëri, aktualisht jemi duke u marrë me probleme madhore, më pas do të shohim edhe detajet.

“Sa i përket Kategorisë së Parë, ka shumë luftë dhe vrapime, dhe jo shumë taktikë. Megjithatë, ne do të shohim përpara. Do të synojmë të jemi surpriza e Kupës, sepse kemi mundësi dhe skuadra po vjen në formën që ne presim, pasi edhe trajneri Lika dhe stafi janë duke bërë një punë shumë të mirë deri më tani ”,  – shtoi më tej turku Ergin Firat.

“E ardhmja?! Në merkato do të ndjekim talente nga Mali i Zi apo Maqedonia e Kosova. Ja vlejnë dhe na bëjnë shumë punë. Kam disa ide për akademinë, në Iran kam pasur sukses, sepse kemi shitur një lojtar për 5 milionë euro te Klub Bryzhi. Kam projekte dhe duam që Vllazninë ta rikthejmë jo vetëm në Superiore, por edhe si një klub që të lërë gjurmë edhe më shumë se në Shqipëri. Kemi shumë projekte, por me përkrahjen e të gjithëve besoj se do t’ia dalim”, – tha drejtori teknik, Ergin Firat. E.S. /Vipsport.al/