Portieri grek i Benfikës çmend gjysmën e Europës, Bajerni në “pole position”

Ka një interes gjithmonë në rritje nga klubet më të mëdha europiane për portierin e Benfikës. Sipas asaj që bën me dije “Record” në Portugali, portieri grek Odiseas Vlahodhimos, kërkohet në disa nga kampionatet më prestigjioze të Europës.

Arsenali, Mançester Junajtid, Liverpuli, Çelsi dhe Njukasëlli janë skuadrat e Premier League që e duan “gardianin” e Benfikës, por në “pole position” duket se qëndron Bajerni i Mynihut.

Bavarezët e konsiderojnë Vlahodhimosin si Manuel Nojerin e ri dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të nënshkruar me të, por duhet të fitojnë konkurrencën me klubet angleze. 24-vjeçari ka lindur në Shtutgar dhe ka nënshtetësi gjermane dhe greke. Ai ka luajtur për Shtutgartin dhe Panathinajkosin para se të kalonte te Benfika. / Vipsport.al/F.R