Plaku ndaj Kukësit si “ish”: Nuk bëj krahasime, hyjmë në fushë për rezultat pozitiv

Kamzën e pret një transfertë e vështirë ndaj Kukësit në Shkodër në kuadër të javës së pestë të Kategorisë Superiore. Në prag të këtij takimi, sulmuesi i Kamzës, Sebino Plaku ka folur për “Supersport” duke qenë se ndaj Kukësit tashmë luan si një “ish”.

Ai shprehet se është i kënaqur edhe me një barazim dhe se nuk i pëlqen të thuhet që ndaj Kukësit luan për hakmarrje.

“Është pak vështirë të bësh krahasim mes ekipeve dhe nëse Kukësin e marrim si ndeshje radhe na bën mirë pasi edhe Kukësi është riformatuar por ka pasur më shumë kohë për ambientim. Ne do të mundohemi të marrim më të mirën.

Me ardhjen e trajnerit, flitet vetëm për rezultate pozitive ose kërkohet vetëm fitorja por kampionati ka treguar që duhet stabilitet. Barazimi të mban aty gjithmonë, kështu që edhe barazimi na bën mirë dhe mjafton të dalim pozitivisht.

Jam lojtar i shëtitur në kampionatin shqiptar dhe do doja që asnjë ndeshje mos ta kem si hakmarrje. Kudo që kam qenë kam dhënë maksimumin dhe do të vazhdoj në të njëjtën mënyrë”, u shpreh Plaku. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/