Pinari për Vipsport: Do jetë një derbi me gola, ja avantazhet e Tiranës dhe Partizanit!

Atmosfera e derbit Tirana-Partizani ka nisur të ndihet në kryeqytet, edhe pse duhen edhe disa ditë për këtë ndeshje. Ndoshta fakti që sezonin e kaluar kjo sfidë klasike e futbollit shqiptar mungoi, pasi bardheblutë ishin në Kategorinë e Parë, ka bërë që të gjithë t’i marrë malli për derbin.

Çfarë pritet të ndodhë të premten në mbrëmje në stadiumin “Selman Stërmasi”? Luan Pinari, ish-kapiteni i Dinamos, që më pas veshi si fanellën e Tiranës, ashtu edhe të Partizanit, në një prononcim për “Vipsport.al”, tregon se me çfarë avantazhesh vijnë dy skuadrat në këtë ndeshje:

“Ambienti që ka krijuar aktualisht Partizani, mendoj se është avantazhi i tij më i madh për këtë ndeshje. Ndërsa për Tiranën do të thosha se janë avantazh lojtarët e saj të huaj, të cilët nuk e dinë çfarë është ky derbi dhe mund të jenë më të lirshëm për të dhënë më të mirën në fushë”, – shprehet Pinari, trajner moshash dhe opinionist në studiot televizive.

“Teknikisht, Tirana ka sulmin më mirë në këtë moment, ndërsa Partizani ka një mbrojtje të konsoliduar dhe kjo i jep këtij ekipi një tjetër avantazh”, – shton më tej Luan Pinari.

Ish-mbrojtësi i të dyja skuadrave kryeqytetase, i pyetur për një parashikim të rezultatit, shprehet me bindje se ndeshja do të prodhojë gola, ndërkohë që barazimin nuk do ta donte: “Mendoj se do të jetë një derbi me gola këtë radhë. Kam shumë besim se do të jetë ndeshje shembull për kampionatin. Vetëm barazimin nuk e dua në këtë ndeshje. Besoj se do të ketë gola, pasi të dyja skuadrat luajnë futboll”, – ka përfunduar Pinari.

Partizani mban vendin e dytë pas pesë javëve të para të kampionatit, me 10 pikë, kurse Tirana qëndron në vend të 7-ë, me 5 pikë të grumbulluara./ Vipsport.al/F.R