Patatina për të tërë! Shefi ekzekutiv i Çelsit si shitës ambulant në tribuna

Çelsi kishte sot një mënyrë simbolike por mjaft origjinale për të shpërblyer tifozët që kishin vendosur të udhëtonin drejt Selanikut për të ndjekur skuadrën në sfidën e Ligës së Europës përballë PAOK. Pak minuta para fillimit të ndeshjes, shefi ekzekutiv i klubit u ka shpërndarë tifozëve… patatina.

Kjo është hera e parë që Çelsi nuk merr pjesë në Ligën e Kampioneve që nga viti 2013 dhe drejtuesit e klubit menduan që të falënderonin tifozët të cilët kishin treguar besnikëri ndaj klubit duke udhëtuar për të ndjekur këtë ndeshje në “Kupën e vogël”. Fillimisht, në hyrje të tribunës së miqve në Selanik u vendos një stendë ku mbështetësit e Çelsit merrnin shishe me ujë falas nga klubi anglez.

Por ata u çuditën më shumë kur panë shefin ekzekutiv të klubit, Brus Bak, të shfaqej në tribunë me disa qese të mëdha me patatina, të cilat sigurisht i shpërndante falas. Edhe pse vlera e tyre ishte simbolike, vetëm 1 euro, tifozët të cilët kishin shpenzuar qindra euro për të udhëtuar drejt Greqisë për të ndjekur skuadrën, kanë falënderuar shefin ekzekutiv i cili kaloi disa minuta mes tyre duke shpërndarë patatina si të ishte një shitës ambulant.

E imagjinoni dot këtë në një klub shqiptar? /vipsport.al/