Notat e Serisë A / Asnjë dyshim, Strakosha është ndër yjet e kampionatit

Paraqitjet e Thomas Strakoshës në këto javë të para të Serisë A kanë bindur të gjithë ekspertët e futbollit dhe këtë e kupton më së miri kur sheh se si gardiani i kuqezinjve merr nota të larta në thuajse çdo ndeshje që zhvillon, edhe pse vetë Lacio nuk e ka nisur shumë mirë sezonin. Pritjet e tij kanë qenë shpeshherë vendimtare për të shpëtuar skuadrën nga gola të sigurt ndaj nuk është aspak rastësi që ai vlerësohet gjithmonë me nota të larta.

Sipas portalit “TMW”, mesatarja e notave që Strakosha ka marrë në këto javë të para të kampionatit është 6,40 dhe kjo mjafton që ai të mbajë vendin e 10 në renditjen e më të mirëve të Serisë A deri tani.

Kuptohet që për një portier është shumë më e vështirë që të marrë nota të larta, në krahasim me mesfushorët apo sulmuesi që dominojnë në renditje të tilla. Ndaj prania e Strakoshës mes 20 më të mirëve në Serinë A, përkrah vetëm Auderos të Sampdorias që luan në rolin e tij, tregon qartësisht se çfarë forme ka kaluar gardiani i kuqezinjve në këto javë të para në kampionatin italian. /vipsport.al/