Në pritje të KAS, Bashkia e Korçës e nis nga e para me Skënderbeun

Në Korçë janë në pritje të vendimit të KAS-it që pritet të merret këto kohë, në lidhje me dënimin që UEFA ka dhënë për Skënderbeun duke e përjashtuar me 10 vite nga kompeticionet europiane. Megjithatë, ky dënim nuk i ka penguar bardhekuqtë që të nisën nga projektet e tjera.

Akademia Skënderbeu është investimi më i fundit që presidenca e klubit, në bashkëpunim me Bashkinë Korçë kanë bërë. Vetë kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo ka folur për “RTSH” duke u shprehur se ky është një projekt që ka si qëllim rritjen dhe promovimin e të rinjve, duke nisur nga mosha 6-vjeçare.

“Kemi qenë në bisedime me Takajn për të parë mundësinë e një akademie në Korçë që do të fillojë që nga moshat e vogla, 6 vjeç e deri te ekipet zinxhir. Jo se nuk ka pasur deri më tani ekipe, por tani do të jenë të inkuadruar dhe do të jenë në kuadrin e një akademie me kushtet më të mira. Është fat i madh që për Korçën dhe fëmijët, ne kemi një nga infrastrukturat më të mira dhe kjo na lejon të zhvillojmë ide të tjera si ajo për akademinë”, u shpreh Filo. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/