Murataj ndez derbin: Bylisi s’e ka rivale Apoloninë

Valentino Murataj është një nga lojtarët e spikatur të Bylisit, madje edicionin e shkuar bëri diferencën në Grupin e Jugut. Këtë sezon, ai mori shiritin e kpaitenit, ndërsa në një prononcim për “Vipsport”, Murataj, një nga lojtarët e spikatur të së Parës, flet për derbin e së shtunës me Apoloninë dhe synimet e skuadrës: “Apoloninë ne e respektojmë, por mendoj se nuk e kemi rivale. Fierakët janë një ekip me traditë, por ata e kanë parë Bylisin gjithmonë nga poshtë. Unë kam besim se do të japim më të mirën dhe në Fier do të kërkojmë marrjen e 3 pikëve”.

“Luhet derbi, janë takime emocionuese që kanë prodhuar edhe rezultate pozitive, si për ne në Fier, ashtu edhe për fierakët në Ballsh. Por, këtë sezon jemi shumë më ndryshe. Në skuadër është investuar shumë dhe unë kam besim se të gjithë do të bëjmë më të mirën në Fier për të dalë me fitore”.

“Kampionati i Kategorisë së Parë ka shumë rivalitet, por Bylisi mendoj se ka diferenca me rivalët. Duke filluar që nga organizimi, merkato por edhe financat. Tashmë ne duhet që të flasim sa më shumë në fushën e lojës dhe të mos ndalemi, duke synuar fitoret njëra pas tjetrës”.

“Gara është shumë e fortë në Grupin e Jugut, ka shumë ekipe me traditë, por ne duhet që t’i marrim ndeshjet një e nga një. Vetëm kështu realizojmë synimin tonë madhor që është ngjitja në Superiore”, – ka thënë kapiteni i Bylisit, Valentino Murataj. E.S. /Vipsport.al/