Muaj “i nxehtë” për Milanin, UEFA merr edhe njëherë në dorë dosjen e shkeljeve ekonomike

Ky muaj pritet të jetë intensiv për Milanin, duke qenë se është në pritje për një vendim nga KAS-i nëse do të luajnë apo jo kuqezinjtë në Kupat e Europës. Në fakt, UEFA vendosi që Milani të përjashtohej për dy vite nga Kupat e Europës për shkak të shkeljeve të “Fair Play Financiar”, ndërkohë që KAS-i vendosi ta hidhte poshtë këtë vendim.

UEFA ka marrë edhe njëherë në dorë dosjet me skuadrat që kanë shkelur rregullat e vendosura nga ky institucion për sa i përket financave dhe në mes të shumë dosjeve, është edhe ajo e Milanit. Nuk pritet që UEFA të ndryshojë diçka te Milani, por në fundin e muajit, mund të jepet një përgjigje e dytë nga UEFA.

KAS-i ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar në lidhje me mundësinë e pjesëmarrjes së Milanit në Europë, duke qenë se vendimi i parë ishte vetëm pezullim i përjashtimit e në rast se KAS-i e sheh të nevojshme, mund ta rikthejë sërish këtë vendim për turneun e radhës, megjithëse drejtuesit kuqezi kanë besim se do të merret një vendim pozitiv. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/