Momenti i Grezdës te Rejnxhërs? Me sa duket ende jo

Eros Grezda nuk është gati për të luajtur si titullar me ekipin e parë të Rejnxhërs, pasi në klub nuk duan të rrezikojnë me futbollistin shqiptar dhe kaviljen e tij që e la shumë muaj jashtë fushave të lojës. Për këtë arsye, është vendosur që integrimi i tij në skuadër të bëhet gradualisht dhe ai pritet të mungojë në duelin ndaj Ajr në Kupë të mërkurën në darkë.

Sipas medieve skoceze, ndonëse Grezda kishte luajtur nga minuta e parë në duelin mes ekipeve të të rinjve, duke zhvilluar 45 minuta të mira e shënuar një gol, në klub mendojnë se lojtari nuk duhet të sforcohet. Këtë ia kanë shpjeguar edhe futbollistit i cili pranon çdo udhëzim që i vjen nga stafi teknik, i cili dëshiron që ai të jetë në gjedjen më të mirë të mundshme në momentin kur të futet në lojë e të mos rrezikojë përsëritjen e dëmtimit.

Kësisoj, pas këtij aktivizimi me ekipin të rinjve, ai do të qëndrojë pushim në mesjavë, për të mos sforcuar kaviljen e tij, ndaj në listën e përkohshme të lojtarëve të grumbulluar për këtë sfidë, emri i Grezdës nuk figuron.

Për lojtarin pritet që të shtohet minutazhi javë pas jave, me ekipin e parë dhe me të rinjtë, derisa të ketë garancinë që nuk do të përsëritet dëmtimi në kaviljen e tij dhe ai të kthehet në alternativë kryesore për formacionin e skuadrës së drejtuar nga Stiven Xherard. /vipsport.al/