Mjeshtër pritjesh, UEFA u mbyll gojën atyre që kritikuan Strakoshën te Shqipëria

Mjaftoi një dalje e gabuar që Thomas Strakosha të filloi të kritikohej nga opinionistë apo edhe në rrjetet sociale nga tifozë për paraqitjet e tij me fanellën kuqezi. Shumëkush harroi shpejt mrekullitë në ndeshjen ndaj Izraelit, të rralla për një portier i cili me fanellën kuqezi në vitin e kaluara kishte luajtur vetëm në një sfidë miqësore para këtyre dy ndeshjeve të shtatorit.

Cilësia e gardianit kuqezi nuk diskutohet, ashtu si fakti se atij i përket e ardhmja e katërkëndorit. E për të përforcuar këtë vjen edhe statistika e UEFA-s e cila bën të ditur se gardiani shqiptar është mes atyre që ka kryer më shumë pritje deri tani në ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku ka pasur shumë përfaqësuese të cilat kanë luajtur nga 2 ndeshje, ashtu si Shqipëria.

Sipas UEFA-s, Strakosha ka kryer 9 pritje në dy ndeshje, duke qenë i katërti në listën e portierëve me më shumë ndërhyrje gjatë këtyre takimeve të shtatorit. Ai kalohet nga Benxhamin Byshel i Lihtenshtejnit (14), Elia Benedetini i San Marinos (13) dhe Ernestas Shetkus i Lituanisë (13).

Nëse nga një anë kjo tregon se portieri ka qenë në formë të mirë në këto ndeshje dhe jo siç mund të ketë trumbetuar shumëkush pas atij gabimi ndaj Skocisë, nga ana tjetër kjo vërteton gjithashtu se mbrojtja e Shqipërisë ka shumë punë për të bërë. Shifra në fjalë tregon se Strakosha përballet në çdo ndeshje me një numër të madh gjuajtjesh në portë, si skuadrat e vendeve të vogla dhe që të mos rrezikojmë të kthemi në një të tillë, mbrojtja duhet të zgjohet nga gjumi dhe t’i japë më tepër garanci portierit kuqezi. /vipsport.al/