Milani i ri e ka mendjen te fitimet: Më mirë të luajmë në Champions se titullin

Klubi i Milanit ka këtë një ndryshim të rëndësishëm në këtë sezon, pasi janë larguar pronarët kinezë për të kaluar nën drejtimin e fondit “Elliot”. Por pavarësisht entuziazmit të tifozëve, ët cilët kanë parë edhe figura si Maldini e Leonardo të kthehen në klub, bordi i ri drejtues me në krye presidentin e emëruar të klubit, Paolo Skaroni, sheh si prioritet fitimet financiare dhe jo arritjet e mirëfillta sportive.

Ndaj për momentin, klubi është më i përqendruar për të siguruar çdo vit pjesëmarrjen në Champions sesa të luftojë për titullin kampion, siç pranoi vetë presidenti në një intervistë për “Corriere Dello Sport”.

“Gjatë këtyre dy muajve në drejtim kam kuptuar se ka dy male që duhen ngjitur: një skuadër që fiton dhe një llogari ekonomike e qëndrueshme. Nga ana sportive, si objektiv këtë vit kemi vënë që të shkojmë në Ligën e Kampioneve, besoj se Milani e ka vendin aty. Unë kam krijuar idenë se për mënyrën se si ka evoluar futbolli, titulli kampion është bërë më pak i rëndësishëm, për Milanin do të ishte më mirë të paraqitej pozitivisht në Ligën e Kampioneve”, tha ai.

Ndërkohë, shumëkush mendon se “Elliot” nuk ka ndër mend të mbajë në pronësi klubin për shumë vite, konfirmim që vjen edhe nga Skaroni. “Plani që kemi bërë për momentin është afatmesëm, nga 3 në 5 vite”, shpjegoi ai. /vipsport.al/