Mala: Gati të mbaj edhe Bathën, tifozët nuk na vënë nën presion

Vetëm pak muaj më parë, Esat Mala erdhi si një emër thuajse i panjohur te Partizani, por brenda një kohe të shkurtër është kthyer në një titullar të padiskutueshëm në radhët e të kuqve. Para ndeshjes me Flamurtarin, mesfushori ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp përkrah trajnerit Skënder Gega, ku ka dhënë mendimet e tij për sfidën e radhës dhe ecurinë e skuadrës.

Mala, luani para mbrojtjes dhe tani edhe në krah. Ku ndjeheni më komod?
Për mua e rëndësishme është që të jem në fushë, luaj ku me vendos profesori dhe mundohem që të jap më të mirën e mundshme.

Duket që tani keni peshë në skuadër, a ju jep më shumë përgjegjësi ky fakt?
Normalisht, kur luan duhet të kesh përgjegjësi, nuk ka rëndësi mosha që ke. Çdo lëvizje që duhet ta bësh, duhet ta bësh me përgjegjësi në maksimum, unë vlerësoj çdo aspekt, çdo minutë dhe mundohem që të jap më të mirën.

A ju vendos nën presion kthimi i tifozëve?
Absolutisht nuk na vendos nën presion. Faktikisht është motivim më shumë për ne se gjithmonë kanë qenë afër nesh dhe vazhdojnë që të jenë.

Cili është vlerësimi yt për Partizanin në këtë sezon?
Ky Partizan tani është një grup shumë i mirë, të gjithë çunat janë të bashkuar dhe kanë një harmoni të veçantë, mendoj se Partizani  hyn në ndeshje për të marrë tre pikët dhe ky është objektivi në çdo ndeshje.

A do të ishe gati të mbaje Bathën, ish-kapitenin e Partizanit në ndeshjen me Flamurtarin?
Normalisht  që po, detyrat janë detyra dhe aq më tepër kur i jep profesori. /vipsport.al/