Lipi: UEFA duhet të kërkojë falje për Kristianon. Ishte një halucinacion!

Ish-trajneri i Juventusit, Marçelo Lipi, mendon se ka ardhur koha që UEFA të vendosë ndërthurjen e VAR edhe në Ligën e Kampioneve dhe këtë e vërteton më së miri rasti i përjashtimit të Kristiano Ronaldos. Trajneri i cili tashmë drejton përfaqësuesen e Kinës, argumenton se dalja me të kuq e portugezit është prova konkrete se sa nevojitet një sistem i tillë, pasi ka raste që gjyqtarët marrin vendime absurde.

“I kuqi i Kristiano Roanldos është kontrolluar në detaj nga një lloj VAR-i botëror dhe të gjithë kanë arritur në konkluzionin që për një fërkim të kokës nuk mund të përjashtosh një lojtar vetëm pse një person kishte një halucinacion. Nuk mund të rrezikosh të komprometosh një ndeshje dhe sidomos një kompeticion nga momenti që i kuqi direkt të sjell një pezullim prej dy ndeshjesh.

Tani UEFA duhet të thotë ‘zotërinj, kemi gabuar. Prapa nuk mund të kthehemi pasi Ronaldo është përjashtuar tashmë dhe ndeshja ka mbaruar, por e kemi kuptuar që pezullimi do të ishte absurd ndaj asnjë ndalesë për të dhe do të ndërthurim menjëherë VAR në Champions’”, ishin fjalët e Lipit për të përditshmen “Tuttosport”.

“Po flasim për një kampion i cili para ndeshjes së të mërkurës nuk ishte përjashtuar asnjëherë dhe Kristiano në Champions ka zhvilluar 154 ndeshje. Kundër Valencias nuk bëri asgjë. Me të drejtë, bota e sheh Ronaldon si një yll, por para së gjithash është një djalosh shumë i respektueshëm për shokët e skuadrës. Lotët në stadium e konfirmojnë edhe më shumë”, vijoi ai.

Sipas tij, fitorja e Juventusit pa CR7, e bënte edhe më domethënës suksesin e bardhezinjve dhe pretendimet që ka skuadra italiane në Ligën e Kampioneve, të cilën e ka fituar për herë të fundit pikërisht nën drejtimin e Lipit. “Nuk më ka çuditur prova e madhe që dhuroi Juventusi. Kjo skuadër është e përgatitur për çdo lloj situate. Ajo është favorite për fitoren e Ligës së Kampioneve përkrah Real Madrid, Barcelonës, Bajern Mynih, Mançester Sitit dhe PSG”, deklaroi trajneri. /vipsport.al/