Largimin ia faturoi klubit, reagon drejtori: Lojtari paguhej edhe kur s’luante

Dje, në një postim në rrjetin social “Facebook”, Armin Kllari, një nga titullarët e skuadrës së Erzenit, i cili për hir të së vërtetës ka një kontribut për disa vite te shijakasit, deklaroi largimin. Sipas tij, nuk ishte një largim normal, por ai këtë ia faturonte drejtuesve dhe më konkretisht drejtorit,  Astrit Hoxha.  Por, ky i fundit, ka reaguar sot dhe ka theksuar se:

“E kemi nisur mbarë dhe kështu të vazhdojmë deri në fund për të rikthyer Erzenin në elitën e futbollit shqiptar që është edhe synimi ynë sezonal. Futbollisti Kllari ka paraqitur dorëheqjen në klubin tonë. Dua t’iu bëj me dije se për 8 muaj nën drejtimin tim si drejtor i përgjithshëm te Erzeni, Kllarri është paguar rregullisht, ndonëse ishte i dëmtuar dhe nuk ka luajtur rregullisht. Dua të përgënjeshtroj ato që thotë Kllari, pasi ka qenë më i privilegjuari në radhët e skuadrës sonë.

Ku janë futbollistët shijakas të cilëve neve si staf po u hamë hakun?! Kurrë nuk i kam zhgënjyer tifozët, që kur kam qenë ish-president dhe kurrë nuk do t’i zhgënjej. Të gjithë jemi për të mirën e Erzenit”, – ka reaguar mes të tjerave Drejtori i Përgjithshëm i klubit shijakas, Astrit Hoxha. /Vipsport.al/