Laçi shton yjet në Superiore, shkëlqen mbrojtësi 19-vjeçar Mersinaj

Në vitet e fundit, Laçi është ekipi i cili është ndërtuar kryesisht me lojtarë të rinj, të cilët kanë treguar se janë në gjendje të befasojnë këdo, ashtu siç bënë edhe herën e fundit ndaj Anorthosis duke i eliminuar. Mesa duket, te kurbinasit do të ketë talente të cilët mund të shpërthejnë edhe për shumë vite të tjera.

Kështu, po ndodh edhe me Jon Mersinajn. Mbrojtësi 19-vjeçar ka arritur të bindë trajnerin Artan Mërgjyshi dhe jo më kot në disa takime ai ka qenë titullar. Në javën e parë ndaj Kukësit, Mersinaj u aktivizua në minutat e fundit, ndërsa në minutën e 46, u aktivizua ndaj Luftëtarit ku edhe e bindi teknikun e Laçit.

Ai vendosi t’i besonte Mersinajt edhe në ndeshjen në transfertë ndaj Skënderbeut dhe pikërisht në atë takim, 19-vjeçari arriti të shkëlqente duke qenë ndër më të mirët në fushë. Takimi Naftëtari-Laçi, i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë, i ka shërbyer Mersinajt që të konfirmohet si një talent i padiskutueshëm për Superioren dhe pse jo për të provuar që të shkojë më lart se Superiorja.

Ai arriti të ishte protagonist në fitoren 0-5 të Laçit, duke shënuar dy gola që ndihmuan kurbinasit të hipotekonin kualifikimin për në turin e dytë të Kupës. Pa dyshim, në Laç po lind një yll i futbollit shqiptar. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/