Kukësi fillon të “flasë” italisht, një përgatitës atletik shton stafin te verilindorët

Kukësi ka shtuar stafin dhe sot në stërvitje është parë edhe një italin. Nga sa kemi mësuar, bëhet fjalë për Daniele Nervin, një emër që në futbollin shqiptar nuk është i padëgjuar. Pas Ndreut, i cili pak ditë më parë mori rolin e menaxherit në skuadër është Nervi që sot ka “zbarkuar” te kuksianët.

Nga sa bëhet e ditur, pritet që italiani Nervi të prezantohet nesër nga krerët e klubit kuksian para skuadrës dhe lojtarëve. Kuksianët këtë sezon duan që të fitojnë titullin kampion, ndaj edhe pas një merkato mjaft aktive, presidenti Safet Gjici ka menduar që të afrojë edhe specialistë me eksperiencë në stafin e skuadrës së tij.

Ndërkohë, në ndeshjen që zhvillohet nesër në Kupën e Shqipërisë me Orikumin, kualifikimi është thjesht detyrë shtëpie, ndërsa e gjithë vëmendja është përqendruar te sfida e fundjavës në kampionat me skuadrën e Luftëtarit. Ndaj edhe trajneri Armando Cungu pritet që të bëj rotacion në Kupën e Shqipërisë, duke i dhënë besim disa lojtarëve të stolit. E. Saliu /Vipsport.al/

more recommended stories