Konfirmohet lajmi i Vipsport: Bledar Devolli prezantohet te Tomori

Gersi Arbri u largua nga stoli i Tomorit vetëm pas javës së parë të kampionatit të Kategorisë së Parë, ku beratasit barazuan me Lushnjën. Menjëherë pas lajmit të largimit të Arbrit, Vipsport.al bëri të ditur se drejtimin e Tomorit do ta merrte Bledar Devolli dhe kështu ka ndodhur.

Ish-trajneri i Luftëtarit, Bylisit dhe Kamzës, është prezantuar sot përpara skuadrës së tij te re nga drejtuesit e Tomorit. Gjirokastriti është takuar me futbollistët dhe më pas ka drejtuar seancën e parë stërvitore. Trajneri i ri ka thënë se Tomori nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të përqendrohet te ndeshja e kësaj jave.

Devolli ka fituar jo pak përvojë me skuadrat që ka drejtuar në kampionatin shqiptar, ndërkohë që për disa muaj ka punuar edhe në Kosovë. Tani fillon një përvojë të re te një skuadër me emër siç është Tomori. Objektivi është rikthimi i futbollit beratas në nivelin më të lartë. / Vipsport.al