Klop nuk dëshiron të bëhet si Guardiola, i bën nder Bajernit

Jurgen Klop ka detyruar Liverpulin të refuzojë përgatitjen e një dokumentari të ngjashëm me atë të Mançester Sitit, të publikuar nga “Amazon Prime” pak javë më parë.

Kompania amerikane ishte gati që të merrej me sezonin e të kuqve, duke parashikuar se do të ishte i suksesshëm, ashtu siç kishte bërë me skuadrën e Guardiolës një vit më parë duke qenë të pranishëm në dhomat e zhveshjeve, grumbullimet dhe në ambientet e klubit gjatë gjithë kohës, për të treguar atmosferën që jetohej në një vit historik. Liverpuli pritet të jetë rivali kryesor i kampionëve në fuqi këtë sezon dhe nga “Amazon Prime” shihej si mundësia më e mirë për të vazhduar me këtë cikël unik historish për futbollin.

Sipas medieve angleze, shumë prej drejtuesve të Liverpulit, përfshirë edhe presidentin Xhon Henri, ishin gati të linin kamerat të pushtonin klubin. Por Jurgen Klop ishte ai që doli qartësisht kundër kësaj ideje. Klop ka bindjen se skuadra nuk do të përfitojë asgjë nga prania e kamerave dhe mendon se skuadra do të detyrohet të ndryshojë sjellje si pasojë e tyre.

Kjo bëri që Liverpul të kthente një përgjigje negative dhe tashmë “Amazon Prime” ka kthyer sytë nga Gjermania, ku pritet të nënshkruajë me Bajern Mynih për këtë edicion. /vipsport.al/