Këshilla e Tramexanit për Hysajn: Duhet të bëhet më shumë egoist

Paolo Tramexanit nuk i ndahet zemra nga shqiptarët dhe këtë radhë, Elseid Hysajt. Ish-asistenti i Xhani De Biazit monitoroi për shumë kohë mbrojtësin shqiptar te Empoli që në hapat e parë të tij para se t’ia sugjeronte trajnerit i cili e afroi në radhët e kuqezinjve dhe e aktivizoi që në moshë të re.

Ndaj si një njohës i mirë i mbrojtësit shqiptar, ai është ftuar nga “Radio Kiss Kiss Napoli” që të komentojë paraqitjet e futbollistit i cili ka qenë shpeshherë në epiqendër të kritikave të tifozëve në këtë sezon.

“Hysaj lind si një lojtar ‘mbulues’ me detyrën që të anulojë sulmuesin. Por ai mund të përmirësohet në fazën ofensive. Ai thjesht duhet të jetë pak më shumë egoist në disa situata”, u shpreh Tramexani.

Ish-ndihmësi i De Biazit është në pritje të një oferte tjetër për të vazhduar karrierën e tij, që pas largimit në vitin 2017 nga Sioni pas një aventure që nuk shkoi edhe aq mirë në radhët e klubit zviceran. /vipsport.al/