Ish-sulmuesi i Vllaznisë në gjyq për trukime, bashkëpunoi me një ish-të Mançester Sitit

Emri i Alban Jusufit do t’u kujtohet pak tifozëve shkodranë, e aq më pak atyre që ndjekin futbollin shqiptar rregullisht. Por ish-sulmuesi i Vllaznisë, ka përfunduar në telashe të mëdha në Suedi, ku e pret një gjyq ku akuzohet për trukime ndeshjes.

Futbollisti i lindur në Suedi, zbarkoi në futbollin shqiptar në vitin 2007 pas një karrierë të kaluar në kategoritë e ulëta suedeze dhe atyre italiane, për të veshur fanellën e Vllaznisë. Një eksperiencë jo edhe aq e lumtur, pasi koleksionoi më pak se 10 ndeshje me kuqeblutë, për t’u kthyer përsëri në Suedi e për të vazhduar atje karrierën e tij.

Gjërat nuk kanë shkuar siç pritej që nga ai moment dhe Jusufi, pasi u zhduk për disa vite nga harta e futbolli të njohur, derisa doli në skenë për… trukime ndeshjesh. Sipas mediave suedeze, ai akuzohet bashkë me ish-futbollistin e e Mançester Sitit dhe Fullhem, Dikson Etuhu, i cili ka luajtur 33 ndeshje me përfaqësuesen e Nigerisë, se kanë tentuar të manipulojnë ndeshjen e kampionatit suedez mes AIK Stokholm dhe Goteborgut në vitin 2017.

Etuhu raportohet se i ka kërkuar ish-shokut të tij të skuadrës te AIK, Keni Stamatopulos, që të manipulohej ndeshja, por ky lajmëroi autoritet dhe takimi u anulua nga Federata Suedeze. Pas 18 muajsh hetime, për Etuhu dhe Jusufin, roli i të cilit në këtë çështje është ende i paqartë, ka akuza zyrtare se kanë tentuar të manipulojnë takimin në favor të basteve sportive.

Gjyqi do të mbahet në ditët në vijim, ku do të mësohet më shumë rreth kësaj ngjarje që bëri shumë bujë në të gjithë botën pasi vërtetoi se vazhdojnë tentativat e manipulimit edhe në nivelet më të larta të futbollit botëror. /vipsport.al/