Interi udhëton drejt Xhenoas, rikthehet afrimi i bujshëm

Pas fitores së madhe në Ligën e Kampionëve ndaj Totenhemit, Interi ka nisur përgatitjet për takimin e radhës në kampionat ndaj Sampdorias në transfertë. Në këtë takim, Spaleti mund të ketë luksin për të zgjedhur, duke qenë se e ka grupin e plotë në këtë transfertë, me përjashtimt të Vrsaljkos.

Një rikthim i rëndësishëm për zikaltërit, është edhe Lautaro Martinez që vuante nga një dëmtim dhe në dy takime e fundit, nuk ishte i grumbulluar me skuadrën zikaltër, si në kampionat, ashtu edhe në Champions.

Duke ditur edhe lodhjen e pjesës tjetër të skuadrës pas angazhimit në Ligën e Kampionëve, pritet që të ketë minuta për talentin argjentinas i cili erdhi te zikaltërit këtë verë me shumë bujë nga Club Racing. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/

Të grumbulluar:

Portierë: Handanoviç, Padeli, Berni.

Mbrojtës: De Vraj, Ranokia, Asamoah, Miranda, Dalbert, D’Ambrosio, Skriniar.

Mesfushorë: Galiardini, Vesino, Naingolan, Zhoao Mario, Borja Valero, Brozoviç.

Sulmuesë: Ikardi, Lautaro Martinez, Keita Balde, Politano, Perisiç, Kandreva.