Historia/ Kur Çelsi refuzonte Mbapen dhe nëna nuk i jepte mundësinë francezit të rikthehej në Londër

Nga ndeshja në ndeshje, Kilian Mbape po tregon se është një ndër lojtarët më të mirë në Botë dhe se shumë shpejt, ai mund të jetë fituesi i “Topit të Artë”. I dalë nga akademia e Monakos, Mbape u transferua për 180 milionë euro te PSG-ja, duke sjellë jo pak reagime pasi ai është vetëm 19 vjeç.

Në të kaluarën e tij, Mbape është provuar në shumë klube dhe ditën e sotme, “Goal.com” ka publikuar historinë kur francezi provohej te Çelsi, por këta të fundit nuk ishin aq të bindur sa për ta mbajtur në skuadër. “Blutë e Londrës”, kishin kërkuar që sulmuesi të vinte dhe për një provë tjetër, por ishte nëna e tij ajo që ka refuzuar. Historia, e rrëfyen nga ish-vëzhguesi i Çelsit, Daniel Boga po merr vëmendje të madhe në media, sidomos për reagimin e nënës së futbollistit.

E ftova bashkë me familjen e tij për të kaluar një prove te Çelsi. Që atë kohë kishte cilësitë që ka edhe sot. Ai luajti në një ndeshje kundër Çarltonit dhe fituam 7-0. Pas një jave, e ftuam në zyrë dhe i thamë që i vlerësonim cilësitë e tij, por duhet të vinte edhe një herë tjetër në provë.

Më kujtohet reagimi i nënës së tij në gjuhën franceze dhe mua më duhej ta përktheja. Ajo tha: ‘Më dëgjo, djali im nuk do të vijë më, nëse ata e duan, duhet ta marrin tani, në të kundërt, pas 5 vitesh do t’u duhet të paguajnë 50 milionë paund”, tregon Boga. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/