Hair Zeqiri zyrtarizon lamtumirën: Nuk më motivon më futbolli

Hair Zeqiri ka konfirmuar atë që e kishte lënë të kuptohej prej kohësh, se nuk do të zbriste më në fushën e lojës si futbollist. Në studion e “Zona Gol”, ai ka bërë të qartë se i kishte dhënë lamtumirën futbollit të luajtur sepse nuk e motivonte më një gjë e tillë.

“Ajo që më bëri të mendoj apo të shoh pozicionin tim është motivi. Edhe pse jam në një moshë të re nuk gjej motivimin që kam pasur kur nisa futbollin. Atë që bën duhet ta kesh pasion dhe ta bësh me dashuri, Pas shumë reflektimesh vendosa ta lë futbollin e të marr drejtime të tjera”, janë fjalët e Zeqirit i cili në edicionet e fundit kishte luajtur pak ndeshje mes Kukësit e Kamzës, ku te kjo e fundit as nuk kishte zbritur në fushën e lojës.

Ai shpreson që të mbetet përsëri pjesë e futbollit, por këtë herë në rol tjetër. “Duhet të qëndrojmë në botën e futbollit, por nuk jam shumë i qartë, edhe pse e kam një ide. Nuk kam dëshirë të jem trajner, por ndoshta menaxher i ndonjë ekipi ose drejtues. Shpresoj të jem në këtë vorbull”, konfirmoi ai. /vipsport.al/