Gol me Albaseten, Manajn nuk e ndalin 6 mijë km e një sherr “Instagrami” në kombëtare (Video)

Aventura e Rei Manajt me kombëtaren shqiptare, këtë radhë nuk shkoi edhe aq mirë pasi në 24 minutat e vetme që ai u aktivizua, kuqezinjtë u mundën 2-0, ndërsa në fitoren ndaj Izraelit, sulmuesi nga Lushnja qëndroi në stol.

Ditën e djeshme, mediat spanjolle shfaqën pakënaqësi për udhëtimin prej 6 mijë kilometrash të Manajt për vetëm 24 minuta, por sonte ai ua ka shpërblyer besimin. Në takimin ku Albasete u mund nga Lugo me rezultatin 3-2, Manaj arriti të shënonte golin e dytë për skuadrën e tij, por pa arritur të shmangë humbjen dhe eliminimin nga Kupa.

Sulmuesi shqiptar, po kthehet në protagonist me ekipin spanjoll, duke qenë se ka nisur të shënojë rregullisht dhe të bëjë paraqitje të mira, gjë kjo që shihet edhe te besimi që ka marrë nga trajneri i skuadrës. Kujtojmë, që ditët e fundit, u përfol edhe për një sherr të sulmuesit me trajnerin Panuçi për çështje të “Instagramit”, por mesa duket këto zëra nuk ia kanë humbur vëmendjen 21-vjeçarit. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/